
Numri i apartamenteve për qira ditore po rritet, por të ardhurat reale po bien për shkak të konkurrencës së lartë dhe uljes së çmimeve
Tregu i qirave ditore në Shqipëri po përjeton një ndryshim të ndjeshëm, pasi numri i njësive të disponueshme është rritur ndjeshëm, ndërsa të ardhurat për pronarët po bien. Në prill 2025, sipas të dhënave të AirDNA, ishin listuar 23.400 njësi banimi për qira ditore, me një rritje prej 38% në krahasim me prillin e vitit të kaluar.
Pavarësisht kësaj oferte të bollshme, tregu nuk po arrin të përthithë këtë kapacitet të ri me të njëjtin ritëm. Fitimet mesatare ditore kanë rënë për herë të parë që nga viti 2021. Në mars 2025, të ardhurat reale ditore për pronarët ishin vetëm 17.59 euro, nga 20.2 euro që ishin një vit më parë, duke treguar për ulje të ndjeshme të përfitimeve.
Zhvillimi i shpejtë i këtij tregu nisi me kthimin e Shqipërisë në një destinacion tërheqës për turistët. Me çmime më të ulëta se hotelet dhe fleksibilitetin që ofrojnë, qiratë ditore u bënë zgjidhje e preferuar për shumë vizitorë, veçanërisht për ata me buxhet të kufizuar.
Megjithatë, në prani të kësaj rritjeje të ofertës, çmimet nuk po rriten më. Mesatarja e çmimit për një natë qëndrim në prill mbeti në nivelin e njëjtë me një vit më parë, rreth 52.7 euro. Në zona si Tirana, prona të afërta me qendrën mund të ofrohen edhe për 30-40 euro nata, çka vë në presion fitimet e pronarëve.

Imazh: Burimi AirDNA: Fitimet në muajt e fundit në Tiranë
Sipas Stela Dhamit nga “Colliers International”, tregu i qirave ditore po shkon drejt maturimit, ku vendndodhja dhe cilësia janë dy faktorët përcaktues për suksesin. Ndërkohë, Brendi Hoti nga “Pikhost” thekson se numri i madh i pronave të reja ka ndikuar negativisht në performancën e pronave ekzistuese.
Të dhënat e AirDNA tregojnë se në periudhat jashtë sezonit të lartë, kthimi mujor për një apartament varion nga 470 në 560 euro. Gjatë korrikut dhe gushtit, kjo shumë rritet ndjeshëm, duke arritur deri në 1500 euro, për shkak të çmimeve më të larta në zonat bregdetare.
Megjithatë, konkurrenca mbetet sfidë kryesore. Norma e zënies së apartamenteve ka rënë, duke u luhatur mes 30% në dimër dhe 60% në gusht. Në shkurt 2025, zënia ishte vetëm 39.3%, që do të thotë se një apartament është i zënë për më pak se gjysmën e muajit.
AirDNA parashikon një rritje të kërkesës gjatë verës 2025, me një zgjerim prej 35% në gusht, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Sidomos në Durrës, Vlora, Saranda dhe Tiranë, kërkesa po përshpejtohet me ritme dyshifrore.
Megjithatë, ky treg mbetet i paqëndrueshëm dhe varet shumë nga sezonaliteti. Ndryshe nga subjektet që menaxhojnë disa prona dhe arrijnë të përfitojnë nga ekonomia e shkallës, individët që zotërojnë një apo dy apartamente po e kanë gjithnjë e më të vështirë të nxjerrin fitime të qëndrueshme.
Tendenca e përgjithshme tregon se tregu i qirave ditore në Shqipëri është futur në një fazë të re, ku vetëm pronat cilësore dhe menaxhimi efikas do të sigurojnë përfitime. Sfidat përfshijnë konkurrencën në rritje, mungesën e sigurisë në të ardhura dhe presionin e kostove fikse, duke bërë të nevojshme një strategji të qartë për çdo pronar që kërkon të mbijetojë në këtë treg gjithnjë e më konkurrues.