
Kosto të larta dhe shitje me humbje: prodhuesit bujqësorë po përballen me krizën më të rëndë ndër vite, duke u detyruar herë pas here të shesin produktet me çmime qesharake, poshtë kostos së prodhimit.
Në vitin 2024, bujqësia shqiptare u përball me një rritje të ndjeshme të kostove të prodhimit, duke shënuar një rritje prej 4.8% në krahasim me vitin e mëparshëm. Sipas të dhënave nga INSTAT-i, indeksi i çmimeve të prodhimeve bujqësore arriti në 149.6, nga 142.8 që ishte në 2023. Rritjen më të madhe e pësuan prodhimet bimore me 9.1%, ndërsa ato blegtorale shënuan një rritje më të lehtë, me vetëm 0.4%.
Megjithë rritjen e kostove, fermerët në shumë raste janë të detyruar të shesin produktet e tyre nën koston reale, duke pësuar humbje të konsiderueshme. Ky realitet i trishtë po vë në rrezik serioz të ardhmen e sektorit bujqësor dhe jetesën e mijëra familjeve që varen nga ky aktivitet.
Në tremujorin e parë të vitit 2025, bujqësia pësoi një rënie vjetore prej 2.76%, që përbën tkurrjen më të madhe që nga koha e pandemisë në 2020. Ky është viti i pestë radhazi me rënie për sektorin bujqësor, një situatë që ngre alarmin për ecurinë e ardhshme të ekonomisë dhe punësimit në vend.
Me rreth 15% të PBB-së dhe më shumë se 30% të fuqisë punëtore të përfshirë, bujqësia është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare. Situata është edhe më e rëndë në zonat rurale, ku mungesa e subvencioneve, çmimet e ulëta të shitjes dhe kostot në rritje po shkatërrojnë motivimin për të punuar tokën.
Varësia nga importet është rritur ndjeshëm si pasojë e tkurrjes së prodhimit vendas, duke e ekspozuar vendin ndaj luhatjeve të çmimeve globale të ushqimeve. Eurostat bëri të ditur për herë të parë në 2024 se çmimet mesatare të ushqimeve në Shqipëri janë më të larta se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian.
Të dhënat e INSTAT-it për indeksin e çmimeve bazohen në një anketim të vazhdueshëm në gjithë territorin kombëtar. Çmimet mblidhen nga ferma, tregjet e gjësë së gjallë dhe tregjet e shumicës, duke përjashtuar taksat. Skema e vlerësimit është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe përfshin grupe kryesore si prodhimet bimore (drithëra, perime, patate, fruta etj.) dhe ato blegtorale (mish dhe nënprodukte të tjera).
Ndërsa prodhuesit përballen me kosto gjithnjë e më të larta, mungesa e politikave mbështetëse i ka lënë ata në mëshirë të tregut, duke detyruar shumë prej tyre të shesin produktet e punës së tyre me çmime të padenja, që shpesh nuk mbulojnë as shpenzimet bazë.