Rrogat dhe numrat e telefonit dolën 'sheshit' , komisioneri kërkon të ndalohet shpërndarja e të dhënave

Rrogat dhe numrat e telefonit dolën ‘sheshit’…

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka reaguar pas skandalit të publikimit të pagave të 630 mijë qytetarëve shqiptarë.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit kërkon nga AMA-s dhe AKEP-it që të ndal mediat dhe portalet që të publikojnë të dhënat personale lidhur me rrogat dhe numrat e telefonit të shqiptarëve që dolën së fundimi.

Reagimi i Plotë:

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale i është drejtuar me një akt administrativ Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) në lidhje me publikimin/shpërndarjen në mënyrë të paligjshme të dhënave personale (databaza) të qytetarëve të punësuar në sektorin publik dhe atë privat.

Zyra e Komisionerit thekson se publikimi/shpërndarja e këtyre të dhënave, në faqe interneti apo organe të medias, përbën një burim të hapur dhe të paligjshëm informacioni, në të cilin çdokush, brenda dhe jashtë vendit, ka mundësinë e aksesimit të këtyre të dhënave në kundërshtim të plotë me parimet dhe kriteret ligjore të përpunimit të përcaktuara në ligjin nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar.

Nisur nga volumi jashtëzakonisht i madh i të dhënave që përmban kjo databazë, Zyra e Komisionerit ka kërkuar bashkëpunim efektiv dhe ndërhyrje të shpejtë institucionale për ndalimin e përhapjes së mëtejshme të të dhënave personale online dhe/ose nëpërmjet mediave.

Zyra e Komisionerit vlerëson se kjo ngjarje mund të shkaktoj pasoja të rënda për jetën private, profesionale dhe familjare të qytetarëve dhe përbën një shkelje shumë të rëndë të lirive dhe të drejtave themelore të tyre të sanksionuara në Kushtetutën e Shqipërisë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit