Një video e realizuar para pak minutash nga një qytetar, tregon gjendjen alarmante të punimeve në rrugën që lidh zonën e Shefqet Kukës me Murrizin. Sipas punëtorëve në terren, kanali që po hapet do të shtrihet deri në Murriz, duke përfshirë edhe segmentin e rrugës së re të Arbrit, e cila sapo është përfunduar. Kjo rrugë, ku kalojnë çdo ditë nga 3 deri në 5 varrime drejt varrezave të Tufinës, është lënë në gjendje skandaloze, e mbushur me inerte dhe pa asnjë element sigurie për qytetarët.
Sipas qytetarit, punimet, hapja e kanaleve të cilat kanë nisur pa planifikim të dukshëm, janë lënë të hapura për ditë të tëra, në vend që të mbyllen dhe rehabilitohen brenda ditës, siç ndodh në shumicën e vendeve perëndimore. Sipas qytetarit zvarritja e punimeve lidhet me synimin për të hapur tenderë të tjerë për mbylljen e kanaleve, ndërkohë që banorët përballen çdo ditë me rrezik për jetën. Situata po ngre shqetësime serioze për transparencën dhe sigurinë në projektet infrastrukturore në Tiranë.
Mesazhi i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania:
Kjo video është bërë para 15 minutave, dhe me sa pyeta punëtorët, ky kanal do vazhdojë deri në Murriz. Imagjinoni tani që do çajnë dhe rrugën e re të Arbrit që sapo e bënë. Të mendosh se tek kjo rrugë kalojnë nga 3-4-5 varrime në ditë për në Tufinë. E kanë filluar nga rruga Shefqet Kuka, e kur të ndalen në Murriz, rruga është lënë skandal me inerte e pa asnjë lloj elementi sigurie. Në vend ta mbulojnë e ta rehabilitojnë brenda dite atë segment që hapin gjatë ditës, ashtu si veprohet në shumicën e vendeve perëndimore, këtu pa të marrë jetën nuk e mbyllin, se duan me hap dhe tendera të tjerë për të mbyllur kanalet tani. E kuptoni se ku është hilja e këtyre maskarenjve. Faleminderit!