Një rrëshqitje dherash ka ndodhur këtë të mërkurë në aksin e ri rrugor Qukës-Qafë Plloçë, vetëm disa muaj pas përurimit të tij zyrtar. Ky aks, i cili u hap pas 14 vitesh punimesh dhe me një kosto që arrin në 260 milionë euro, tashmë ka filluar të shfaqë shenja shqetësimi për qëndrueshmërinë e tij.
Rruga, që u inaugurua me bujë nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku më 5 shtator të këtij viti, ka pësuar rrëshqitjen e dherave në një skarpate, duke shtuar pikëpyetje mbi cilësinë dhe sigurinë e ndërtimit.
Përsëritja e incidenteve të tilla në një segment të ri dhe të shtrenjtë sugjeron mundësi të mëdha për probleme serioze në projektim dhe mbikëqyrje. Rruga që duhej të ishte shembulli i zhvillimit të qëndrueshëm dhe të sigurt, tani është kthyer në një kujtesë për atë se ndonjëherë edhe investimet më të mëdha nuk e sigurojnë dot kualitetin dhe qëndrueshmërinë e duhur.
Vetëm disa javë më parë, një rrëshqitje shkëmbore bllokoi njërën korsi për orë të tëra, duke bërë që kalimi në këtë aks të jetë i vështirë për përdoruesit e tij. Ndërsa autoritetet vazhdojnë të theksojnë investimet e mëdha në infrastrukturë, ngjarje të tilla tregojnë se ndonjëherë është më e lehtë të bësh një rrugë të shtrenjtë, sesa ta mbash atë të sigurt dhe funksionale për ata që e përdorin.