
Valët e të nxehtit nuk përbëjnë thjesht një shqetësim fizik, por ndikojnë fuqishëm edhe në gjendjen emocionale dhe mendore të njerëzve, sidomos tek ata që kanë histori të çrregullimeve psikike.
“I nxehti rrit ndjeshmërinë, zemërimin, predispozitën për konflikte dhe ndikon në funksionimin e neuroneve. Ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes çrregullimeve psikotike dhe temperaturave ekstreme,” shpjegon psikiatrja Irena Thoma.
Të rinjtë janë grupi më i prekur, për shkak edhe të përdorimit të lëndëve narkotike gjatë festave verore apo në plazhe, gjë që ka bërë që rastet e çrregullimeve psikotike të shtohen ndjeshëm.
Rekomandohen masa për familjet që kujdesen për persona me probleme të shëndetit mendor, si qëndrimi në vende të freskëta, hidrimi i vazhdueshëm dhe rishikimi i terapisë në bashkëpunim me mjekun specialist.
Temperaturat ekstreme nuk janë vetëm një sfidë fizike, por edhe një rrezik serioz për balancën mendore, prandaj kujdesi duhet të shumëfishohet gjatë muajve të verës.