Ruleta ruse dhe ashensorët/ Tregu “informal” që rrezikon jetë!

Ruleta ruse dhe ashensorët/ Tregu “informal” që…

Në vendin tonë veprojnë shumë kompani private të akredituara nga DPA për të kryer kontrollin periodik të sigurisë së ashensorëve, por në një pjesë të mirë të tyre ka dyshime edhe nga inspektorët e Inspektoriatit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut se këto kontrolle janë fiktive, vetëm në letra dhe jo në realitet.

Problematikat e hasura lidhen që me respektimin e të gjitha kërkesave të ligit dhe të vendimeve në fuqi të Këshillit të Ministrave. Njëra prej tyre është VKM me numër 1056 e datë 23 dhjetor 2015. Pika 3.2 e këtij vendimi detyron vendosjen e tabelave të nevojshme informuese, për peshën, numri e personave që mund të hipin njëkohësisht dhe data e fundit e inspektimit periodik.

“Personi përgjegjës për ashensorin siguron që në çdo kabinë është vendosur një pllaketë lehtësisht e dukshme me përshkrimet e mëposhtme: a) ngarkesa nominale në kg; b) numri maksimal i njerëzve që mund të transportohen; c) data e inspektimit periodik parandalues të fundit dhe e organit të miratuar përkatës, përfshirë numrin e tij të identifikimit; ç) data e inspektimit periodik parandalues të ardhshëm; dhe d) çdo instruksion tjetër përkatës sipas përcaktimit në rregullin teknik për ashensorët”, thotë VKM-ja.

Burime të Gazetës Shqip thonë se janë me dhjetra rastet kur Inspektorët e ISHMT-së kanë tërhequr vërjejtje ndaj personave përgjegjës për mungesën e sinjalistikës së plotë. “Rëndom nëpër ashensorë vendoset vetëm pesha dhe numri i personave që mund të hipin njëkohësisht dhe harrohen të gjitha të tjerat”, thonë burimet.

Një prej kompanive të akredituara për certifikimin dhe kontrollin periodik të ashensorëve është kompania NOA Control, e biznesmenit Gentian Sula. Kjo kompani është kompania mëmë e kompanisë tjetër, NOA Inspect, që ka koncesionin e pompave të matjes së karburanteve.

Informaliteti

Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, struktura që duhet të garantonte sigurinë e ashensorit që ra në një pallat në zonën e Astirit në Tiranë hoqi nga vetja përgjegjësinë për ngjarjen në fjalë.

Përmes një deklarate, Inspektoriati e shpërndau përgjegjësinë te administratori dhe personi përgjegjës për mosregjistrimin e ashensorit pranë këtij inspektoriati. Regjistrimi më pas do t’i hapte rrugë certifikimit dhe kontrollit periodik të sigurisë. “Personi përgjegjës” është termi juridik që përdoret në ligjet dhe rregullat për ashensorët.

Tregu rregullohet nga një ligj dhe katër Vendime të Këshillit të Ministrave; më saktësisht ligji për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore, i 2011-s, VKM e 2015 për miratimin e rregullit teknik për sigurinë e ashensorëve në përdorim”, VKM e 2018 për miratimin e rregullit teknik për ashensorët dhe komponentët e sigurisë për ashensorë dhe përcaktimi i listës së standardeve të harmonizuara dhe VKM e 2019 që korrigjon VKM-në e 2015.

Megjithatë, as ligji dhe as VKM-të nuk përcaktojnë qartë “personin përgjegjës”, në rastet kur ashensori është i paregjistruar, siç thotë ISHMT se ishte edhe rasti i Astirit. Tregu funksionon në një pjesë të mirë të tij në rrugë informale, herë nxitur nga kompanitë e montimit dhe mirëmbajtjes së ashensorëve, herë nxitur nga refuzimi i banorëve për të paguar këtë shërbim.

Personi përgjegjës nuk përcaktohet nëse është ndërtuese, administratori, kompania e mirëmbajtjes së ashensorëve, apo dikush tjetër, por lihet si term i përgjithshëm dhe si mundësi e mirë për t’iu shmangur përgjegjësisë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit