
Kina mund të përdorë Rusinë për të shkaktuar tensione në Evropë, nëse vetë përshkallëzon situatën në Tajvan, duke detyruar NATO-n të përhapë vëmendjen dhe burimet mes dy frontesh të rrezikshëm
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ngriti alarmin për një rrezik në rritje që lidhet me ambiciet gjeopolitike të Kinës dhe rolin destabilizues të Rusisë. Duke folur përpara samitit të NATO-s në Hagë, Rutte paralajmëroi se një ndërhyrje kineze në Tajvan mund të shoqërohet me një provokim rus në Evropë, si pjesë e një strategjie për të shpërqendruar aleancën.
Ai e përshkroi forcimin e shpejtë të kapaciteteve ushtarake të Kinës si një faktor kryesor që ka alarmuar aleatët perëndimorë, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re, të cilat tashmë janë më të afërta me NATO-n.
“Këto vende nuk janë afruar rastësisht me aleancën. Janë shumë të shqetësuara për militarizimin në rritje të Kinës dhe pasojat e mundshme,” tha Rutte.
Sipas tij, nëse Pekini vepron ushtarakisht ndaj Tajvanit, ekziston një mundësi reale që të ftojë Moskën të hapë një front tjetër në Evropë, për të ndarë vëmendjen strategjike të NATO-s.
“Pikërisht për këtë arsye, duhet të jemi vigjilentë dhe të mos biem në naivitet,” shtoi ai, duke theksuar se rritja e buxheteve ushtarake dhe bashkëpunimi i ngushtë mbeten të domosdoshme.
Ndërkohë, Kina ka intensifikuar ndjeshëm aktivitetet e saj ushtarake përreth Tajvanit, përfshirë fluturime dhe lëvizje të anijeve luftarake në drejtim të ishullit. Tajvani ka shprehur shqetësimin se këto manovra mund të shërbejnë si mbulim për një sulm real.
SHBA ka angazhime të qarta për të ndihmuar Tajvanin dhe një përshkallëzim në rajon mund ta tërheqë shpejt Uashingtonin në një konflikt të drejtpërdrejtë, duke vënë në rrezik stabilitetin ndërkombëtar.
Pekini vazhdon ta konsiderojë Tajvanin si një provincë të shkëputur, ndërsa presidenti Xi Jinping ka deklaruar hapur synimin për “ribashkim”, qoftë edhe me forcë.
Sipas një raporti të fundit nga Agjencia Amerikane e Inteligjencës së Mbrojtjes, Kina mund të përpiqet të pushtojë ishuj të vegjël përreth Tajvanit si një taktikë presioni ndaj autoriteteve në Taipei. Raporti paralajmëron se ky është vetëm një nga shumë opsionet ushtarake në dispozicion të Pekinit.
Rutte përmendi edhe rritjen e shpejtë të industrisë kineze të mbrojtjes, duke theksuar se tre deri në pesë nga 10 kompanitë më të mëdha të mbrojtjes globale tani janë kineze, një ndryshim i madh në krahasim me vetëm disa vite më parë.
“Ky zhvillim nuk ndodh rastësisht. Nuk po e bëjnë për të organizuar parada, por për të ndërtuar fuqi reale,” theksoi ai.
Në vijim, Rutte nënvizoi se NATO është në proces transformimi për t’u bërë më e fortë dhe më e gatshme të përballet me kërcënimet e reja. Ai tha se rritja e buxheteve të mbrojtjes deri në 5% të PBB-së është një hap thelbësor drejt këtij qëllimi.
Kjo do të nënkuptojë jo vetëm më shumë mjete ushtarake, por edhe zhvillim të industrisë së mbrojtjes dhe krijim vendesh të reja pune. Rutte shtoi se përpjekja për të përkrahur Ukrainën dhe për të garantuar një përfundim të drejtë të luftës mbetet në qendër të objektivave të NATO-s.
“Të gjitha këto masa janë thelbësore për të mbrojtur 1 miliard qytetarë në vendet aleate,” tha ai.
Rutte theksoi se mjedisi global i sigurisë është përkeqësuar ndjeshëm. Kërcënimet janë më të shumta dhe më të sofistikuara, prandaj, sipas tij, NATO duhet të jetë e përgatitur për t’iu përgjigjur çdo sulmi ndaj territorit të saj.
“NATO ka plane konkrete dhe është e përkushtuar të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj. Çdo agresor që mendon të sfidojë këtë, duhet të mendojë dy herë,” përfundoi ai.