Sa dëme kanë krijuar fatkeqësitë natyrore në Shqipëri? FMN publikon studimin e fundit

Sa dëme kanë krijuar fatkeqësitë natyrore në…

Ndryshimet klimatike po rrisin ekspozimin e Shqipërisë ndaj fatkeqësive natyrore.

Nje studim i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) lidhur me ndikimet klimatike në ekonominë e vendit tonë, arriti në përfundimin se gjatë dy dekadave të fundit, shpeshtësia e fatkeqësive natyrore është rritur me më shumë përmbytje, zjarre të shpeshta në pyje, etj.

Sipas këtij studimi të FMN, gjatë periudhës 1980 – 2021 fatkeqësitë natyrore kanë cenuar jetën dhe pasurinë e 438 mijë njerëzve dhe kanë krijuar dëme në vlerën e 802 milionë dollarëve.

Shqipëria goditet mesatarisht nga një fatkeqësi natyrore në vit dhe çdo fatkeqësi krijon dëme me rreth 1.3% të PBB-së dhe prek rreth 5000 në 100.000 banorë.

Fatkeqësitë natyrore në Shqipëri janë ende më të rralla se në vendet e BE, por ndikimi i çdo fatkeqësie është rreth dy herë më i lartë në përqindje të PBB-së dhe prek një pjesë më të madhe të popullsisë.

FMB vë rekomandon se Shqipëria duhet të gjenerojë të ardhura shtesë për të përmbushur nevojat për investime ndaj ndikimeve të klimës.

Shqipëria ka hapësirë shumë të kufizuar fiskale për të akomoduar investimet shtesë për tu mbrojtur nga ndryshimet e klimës, teksa vendi vuan ende nga nivele të larta të borxhit publik.

Gjithashtu vendi ka institucione të dobëta që pengojnë tërheqjen e fondeve të huaja të dedikuara për ndikimet e klimës.

FMN cilëson se iniciativa të tilla si norma e reduktuar e TVSH-së për autobusët elektrikë të përdorur në transportin publik kanë qenë pak e suksesshme. Duhet aplikuar ulja e tarifave që motivon përdorimin automjeteve miqësore me mjedisin, duke zëvendësuar gradualisht flotën ekzistuese.

Kontributi i Shqipërisë në emetimin global të gazeve serrë është i kufizuar. Emetimet totale të karbonit arritën kulmin në 9 milionë CO2 në vitin 1989 gjatë epokës komuniste, për shkak të joefikasitetit të industrisë së rëndë. 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit