
Të gjitha paketimet e salmonit të tymosur të markës “Despar”, me çdo numër serie dhe datë skadence, janë tërhequr nga qarkullimi për shkak të dyshimeve për prani të bakterit Listeria Monocytogenes
Zinxhiri i supermarketeve “Despar”, në shtetin italian, ka njoftuar tërheqjen urgjente të të gjitha paketimeve të salmonit norvegjez të tymosur, pas dyshimeve për ndotje me bakterin e rrezikshëm Listeria Monocytogenes. Ky paralajmërim u bë publik nga Ministria e Shëndetësisë përmes portalit të dedikuar për njoftime sigurie dhe tërheqje produktesh ushqimore, njofton fanpage.it.
Tërheqja përfshin të gjitha paketimet e salmonit të tymosur që mbajnë markën “Despar”, pa përjashtuar asnjë numër serie apo afat skadence. Vendimi është marrë si masë paraprake nga vetë kompania prodhuese për të mbrojtur konsumatorët nga rreziku i mundshëm shëndetësor.
Ky produkt është përgatitur në emër të Despar Italia S.c. a r.l. nga kompania Kristal So d.o.o Natural Fish në fabrikën e saj të prodhimit në Krnjesevci, Serbi. Tërheqja përfshin paketimet me peshë 50, 100, 200 dhe 300 gramë, të gjitha të përfshira në njoftimin zyrtar.
Edhe pse produkti është hequr nga raftet e supermarketeve, autoritetet bëjnë thirrje për konsumatorët që mund të kenë blerë këtë produkt, që të mos e konsumojnë dhe ta kthejnë menjëherë në pikën e shitjes ku është blerë.
Bakteri Listeria Monocytogenes mund të shkaktojë sëmundjen listeriozë, e cila konsiderohet një infeksion me origjinë ushqimore. Në forma të lehta, ajo shfaqet me gastroenterit të shpejtë dhe ethe, ndërsa në raste të rënda mund të çojë në meningjit, encefalit apo edhe sepsis të rrezikshëm.
Kjo situatë ngre edhe një herë alarmin për kontrollin rigoroz të produkteve ushqimore të importuara, duke kërkuar vigjilencë të shtuar nga konsumatorët dhe institucionet.