Detaje të reja janë bërë publike lidhur me arrestimin në Rusi të Shpëtim Aliut, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare me “pullë të kuqe” të Interpolit për akuzat për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal.
Rreth një javë më parë, Interpol Moska ka njoftuar Interpol Tiranën për ndalimin e shtetasit shqiptar. Sipas të dhënave të bëra publike, Aliu ishte larguar nga Dubai drejt Moskës pas problemeve që pati me drejtësinë shqiptare në qershor 2026, duke tentuar t’i shpëtonte një arrestimi të mundshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ekstradimit drejt Shqipërisë.
Sipas gazetarit Elton Qyno, largimi drejt Rusisë lidhej edhe me martesën e Aliut me një shtetase ruse. Ai dyshohet se kishte zgjedhur të vendosej në Rusi duke u mbështetur te bashkëshortja e tij dhe duke fshehur identitetin e vendndodhjen.
Identifikimi i gruas thuhet se ka ndihmuar autoritetet në përcaktimin e vendndodhjes së Aliut, i cili më pas është arrestuar nga policia ruse.
Pas arrestimit, SPAK ka nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Prokuroria e Posaçme i ka dërguar një letërporosi Federatës Ruse, përmes Ministrisë së Jashtme, me qëllim sjelljen e tij përpara drejtësisë shqiptare.
Aliu u shpall në kërkim pas aksionit të 16 qershorit, ku u godit një grup i dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine dhe pastrim parash. Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Trafikimin e narkotikëve”, “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupin e strukturuar kriminal” dhe “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në komunikimet e zbardhura nga Sky ECC, Aliu shfaqet me disa nofka, mes tyre “Daja”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”.
Sipas dosjes hetimore, ai dyshohet se ka pasur një rol të rëndësishëm në qarkullimin dhe investimin e parave të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal, përmes bizneseve në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.
Po sipas hetimeve, Salvatore Aliu dyshohet se ka qenë një prej furnitorëve kryesorë me kokainë për grupet e lidhura me Eldi Dizdarin, Dritan Gjikën dhe Armando Pacanin. Autoritetet shqiptare dyshojnë gjithashtu se përmes aktivitetit kriminal dhe skemave të investimit janë pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro, me ndihmën e vëllait të tij, Isa Aliu.
Tashmë pritet që autoritetet ruse të shqyrtojnë kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e tij.