Sandër Lleshaj: Kampet e refugjatëve në Shëngjin janë të jashtëligje, po shkelin rregullat e BE-së

Sandër Lleshaj: Kampet e refugjatëve në Shëngjin…

Marrëveshja e kryeministrit Edi Rama me homologen italiane Georgia Meloni për sjelljen e emigrantëve të jashtëligjshëm në vendin tonë, është kthyer në temën e ditës në Shqipëri.


Në lidhje me këtë ka reaguar edhe ish-ministri i Brendëshm Sandër Lleshaj, i cili shkruan në Facebook se kjo marrëveshje qesharake dhe se nuk është zgjidhja e vërtetë e problemit.
Sipas Lleshajt, emigracioni i paligjshëm nga vendet e afrikës veriore vjen për shkak të 3-fishimit të numrit të popullsisë në këtë rajon.


“Do të mjaftonte vetëm një vështrim i thjeshtë mbi eksplozionin e popullsisë së Afrikës së Veriut për të parë se sa qesharake është ideja e „kampeve të mikpritjes“. Në vitin 1970 popullsia e vendeve të Afrikës së Veriut (Sahara Perëndimore, Maroku, Algjeria, Tunizia, Libia, Egjipiti dhe Sudani) ishte rreth 80 milionë banorë, ndërkohë që në vitin 2023 këto vende së bashku numërojnë mbi 265 milonë banorë”, shkruan Lleshaj.


Po ashtu ai e konsideron si të jashtëligjshme këtë marrëveshje, pasi sipas tij kushtetutat dhe legjislacioni europian nuk lejojnë zhvillimin e procedurave që mendohet se do të zbatohen në kampet jashtë territorit të vendeve anëtare. Gjithashtu ish-ministri shton se këto dakordsi bëhen për mungesë lirie proceduriale.


“Ideja absurde e „qendrave të mikpritjes“, që në fakt janë konceptuar si kampe të mirëfillta paraburgimi, vetëm sa provon impotencën politike dhe intelektuale të atyre që janë ngarkuar për të gjetur zgjidhjet. Këto kampe janë menduar të krijohen jashtë territorit të BE për të qënë në të vërtetë edhe jashtë ligjit, pasi kushtetutat dhe legjislacioni europian nuk lejojnë zhvillimin e procedurave që mendohet se do të zbatohen në kampet jashtë territorit të vendeve anëtare. Kampet synohet të ndërtohen jashtë BE jo për mungesë toke, por për mungesë lirie proceduriale”, nënvizon ish-ministri.


Më tej ai shton se kjo marrëveshje duhet të mbështetet në legjislacionin shqiptar dhe të mos shkelet sovraniteti i shtetit dhe se pretendimi për zbatimin e legjislacionit të një vendi të huaj në territorin sovran të Shqipërisë ka nevojë për një argumentim shumë serioz kushtetues.

“Është me shumë rëndësi që të parandalohet krijimi i një precedenti kushtetues në raport me sovranitetin e vendit. Referimi i deritanishëm i rasteve të ujgurëve, iranianëve dhe afganëve është krejtësisht i pa arsyetuar. Të gjitha këto raste kanë qenë iniciativa politike, padyshim shumë të diskutueshme, por ato nuk kanë krijuar hapësira ekstraterritoriale brenda territorit sovran të Shqipërisë. Për të gjithë këta persona dhe hapësirat përkatëse ku ata kanë jetuar është zbatuar vetëm legjislacioni shqiptar. Ndërsa pretendimi për zbatimin e legjislacionit të një vendi të huaj në territorin sovran të Shqipërisë ka nevojë për një argumentim shumë serioz kushtetues, përpara se të ndërmerren hapa konkretë”, shton ai.


Në përfundim të statusit të tij Lleshaj thekson se problem i emigracionit të jashtëligjshëm nuk zgjidhet në Gjadër dhe në Palasë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit