Seanca e fundit plenare, qytetarët thërrasin protestë nesër para Kuvendit

Seanca e fundit plenare, qytetarët thërrasin protestë…

Në ditën kur Kuvendi zhvillon seancën e fundit plenare të këtij sesioni, qytetarët kanë paralajmëruar një tjetër protestë përpara Kuvendit.

Tubimi është njoftuar të nisë në orën 08:30, ndërsa organizatorët u bëjnë thirrje qytetarëve t’u bashkohen për të shprehur pakënaqësinë ndaj mënyrës se si, sipas tyre, është qeverisur vendi dhe ndaj një klase politike që, sipas protestuesve, nuk përfaqëson më interesin e qytetarëve.

Protesta vjen vetëm pak ditë pas tubimit të 23 korrikut, i cili u shoqërua me tensione pranë Kuvendit. Edhe për protestën e së hënës pritet që Policia e Shtetit të hartojë një plan të posaçëm masash, me prani të shtuar të efektivëve, forcave të ndërhyrjes së shpejtë, barrierave metalike dhe mjeteve për kontrollin e turmës në zonën përreth Parlamentit.

Në protestën e fundit pati përplasje mes protestuesve dhe policisë. Efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit hodhën vezë në drejtim të godinës së Kuvendit dhe tentuan të çanin kordonin e sigurisë. Në përfundim të protestës, policia shoqëroi 32 persona.

Protesta e së hënës pritet të zhvillohet në një moment simbolik, pasi përkon me mbledhjen e fundit plenare të Kuvendit për këtë sesion, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të zhvillohet në mënyrë paqësore apo do të shoqërohet sërish me tensione në zonën përreth Parlamentit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit