Seanca ndaj Ilir Metës shtyhet. Avokati: Nuk ka pasuri në planetin Tokë.

Seanca ndaj Ilir Metës shtyhet. Avokati: Nuk…

Avokati deklaron se Ilir Meta nuk ka pasuri të regjistruara në asnjë vend të botës, ndërsa akuzon drejtësinë për ndjekje politike ndaj ish-presidentit

Seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta është shtyrë, pas një kërkese të paraqitur nga avokati i tij për t’u njohur më parë me dokumentet e sjella së fundmi nga prokuroria. Në një deklaratë për mediat, mbrojtja e Metës hodhi akuza të forta ndaj autoriteteve, duke e cilësuar të gjithë procesin si një inkuizicion ndaj kreut të Partisë së Lirisë.

Sipas avokatit, gjatë seancës prokurori ka pranuar se akuza për lobim nuk qëndron më, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm në rrjedhën e hetimeve. Mbrojtja theksoi se kërkesa për shtyrje u bë me qëllim që të njiheshin në mënyrë të plotë me materialet e reja që kanë mbërritur nga prokuroria.

Avokati i Metës u shpreh se klienti i tij është i vetmi objekt i hetimit, duke kritikuar përfshirjen në proces të bashkëshortes dhe të afërmve të tjerë pa asnjë bazë ligjore. Ai theksoi se asnjë llogari bankare nuk është regjistruar në emrin e Metës dhe se karta bankare që përflitet është përdorur nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.

“Sot prokurori ka kërkuar që akuza e lobimit nuk qëndron më. Ky është një lajm që e ka sjellë prokurori sot. Seanca u shty sepse unë kërkova që të njihem me aktet që ka sjellë prokurori.
Unë i thash gjyqtarit që jam avokati i Metës, as i Kryemadhit as i vjehrrës. Të gjithë ata u përmendën vetëm Meta jo.”

“Kartën e ka përdorur bashkëshortja e zotit Meta, nuk ka dalë asnjë llogari bankare në emër të zotit Meta.
Pasuritë e ish presidentit Meta janë zero. Të shkojnë në hënë se mbase gjejnë ndonjë pasuri.”

“Nga kërkimet që ka bërë SPAK ka kërkuar në Shqipëri, në BE, SHBA ka bërë letër porosi dhe Meta nuk posedon as pasuri të luajtshme as të paluajtshme. Po bëhet një inkuizicion ndaj presidentit të PL, për këtë duhet të shqetësoheni, ka 8 muaj në paraburgim.”

Duke vijuar me pretendimet, mbrojtja tha se pasuritë e Ilir Metës janë “zero” dhe se nuk ekziston asnjë pronë në emër të tij në Shqipëri apo jashtë saj. “Le të kërkojnë në Hënë, se ndoshta gjejnë ndonjë pasuri”, ironizoi avokati para mediave, duke kritikuar qasjen që po ndjek SPAK.

Sipas tij, institucionet kanë dërguar letër-porosi në vende si SHBA dhe shtete të Bashkimit Evropian, por nga hetimet nuk është konstatuar asnjë pasuri e luajtshme apo e paluajtshme në emër të ish-presidentit.

Në fund, ai denoncoi faktin se Ilir Meta po mbahet në paraburgim prej tetë muajsh pa prova konkrete, duke theksuar se kemi të bëjmë me një ndjekje politike dhe jo me një hetim të bazuar në fakte. Sipas mbrojtjes, ky proces po kthehet në një precedent të rrezikshëm për drejtësinë në vend.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit