Seanca për Veliajn shtyhet në GJKKO, avokatët kërkojnë dosjen dhe laptop në qeli

Seanca për Veliajn shtyhet në GJKKO, avokatët…

Seanca paraprake në GJKKO për çështjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë pasi avokatët mbrojtës kërkuan kohë shtesë për t’u njohur plotësisht me aktet e dosjes. Sipas tyre, edhe vetë Veliaj duhet të njihet personalisht me materialet hetimore dhe ato duhet t’i dorëzohen në qeli.

Kërkesa u kundërshtua nga prokurori i SPAK, i cili deklaroi se mbrojtja është njohur më herët me aktet dhe se Veliaj ka kërkuar të gjykohet, por nuk paraqitet në seancë.

Gjatë procesit, është bërë gjithashtu publike edhe kërkesa e Veliajt për të pasur një laptop në qeli, me arsyetimin se i nevojitet për të lexuar dokumentet e dosjes.

Kryebashkiaku i Tiranës përballet me akuza për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Në të njëjtën dosje janë të përfshira edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e akuzuar për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, si dhe ish-deputetja Klotilda Bushka, e cila akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Kujtojmë se më 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Veliajt, duke e lënë atë në detyrë dhe duke rrëzuar vendimin e qeverisë për shkarkimin, si dhe shfuqizuar dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit