Sebepi 'COVID-19', Manastirliu derdh 'lum' paratë në tenderin e Sanatoriumit, 880 mln i jepen firmës 'EUROMED' për...

Sebepi ‘COVID-19’, Manastirliu derdh ‘lum’ paratë në…

“Shyqyr moj çezmë që nuk ke ujë…”, thotë populli, kur për të përdorur si sebep si psh., çështja e koronavirusit, një ministre si Ogerta Manastirliu, bën “rrush e kumbulla” paratë e shqiptarëve.

Kohët e fundit sektori i shëndetësisë është edhe “hambari” më i madh i tenderave dhe i përlarjes së parave, me preteksin e pandemisë dhe shpenzimeve që po bëhen për shëndetin.

Në një kohë kur sipas të dhënave zyrtare borxhi publik shkon deri në 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PPB), buxheti i shtetit vazhdon që të “milet” rregullisht nga “ustallarët” e Rilindjes.

Sipas një investigimi të “JOQ-Albania”, rezulton se, ajo çka ustallarët e mësipërm preferojnë më tepër, janë tenderat me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.

Kjo vlen sidomos në rastin e mjeteve mbrojtëse anti-COVID-19.

Pikërisht një rast i tillë është publikuar ditën e sotme.

Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Blerje artikuj për masa mbrojtëse personale (MMP) për përballimin e situatës emergjente COVID-19, për një periudhë 90 ditore”, në S.U “Shefqet Ndroqi”.

Referenca e kësaj procedure prokurimi mban numrin REF-67901-08-06-2020.

Fondi limit i tenderit ka qenë 73,745,000 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 880 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Duke qenë se, procedura ka qenë me marrëveshje “pas perdeve të mbyllura”, pra me negocim dhe pa shpallje paraprake, vetëkuptohet që nuk ka pasur fare garë por ka marrë pjesë vetëm një kompani, e cila natyrisht është shpallur edhe fituese.

Me interes është fakti se fituesi ka ofruar vlerën 73,570,000 lekë të reja pa TVSH, ose 99,76% e fondit limit.

Kjo do të thotë se shanset janë tepër të mëdha që të jetë abuzuar me tenderin dhe që një pjesë e mirë e këtyre parave të kenë përfunduar në xhepat e ustallarëve.

Rezulton se kompania fituese është “Euromed” sh.p.k. me administrator Armand Alliu dhe me pronarë Engjëll Hoxha dhe Hervin Fora.

Ky i fundit, pra Hervin Fora, duke parë edhe historikun e kompanisë, rezulton të ketë qenë një ndër ortakët më me peshë në këtë kompani, ndonëse aktualisht me letra ka vetëm 10% të aksioneve.

Sipas të dhënave publike, kjo kompani në pesë vitet e fundit ka futur “në xhep” rreth 17 milionë euro tendera.

Duke parë këto shifra, rezulton se, kjo kompani dhe pronarët e saj, janë aktualisht ndër përfituesit më të mëdhenj të tenderëve nga Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet në varësi, pas Sokol Topçiut dhe firmës së tij “FARMA NET ALBANIA”.

/Burimi: JOQ-Albania/ Përshtati: Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit