Sekretet e shtetit 'llokum në gojë' për krimin, a duhet të dorëhiqet Rama?

Sekretet e shtetit ‘llokum në gojë’ për…
Informacioni është pushtet. Dhe kur informacioni i shtetit përfundon te njerëzit si Ergys Agasi, i cilësuar si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se vepronte brenda AKSHI-t, që SPAK e ka vendosur në qendër të një hetimi, shteti nuk ka më thjesht një problem korrupsioni. Ka një problem shumë më të rrezikshëm, a po përdoret vetë shteti nga krimi?
 
Ilir Proda, ish drejtori i Policise së Shtetit është gjithashtu nën hetim nga SPAK. Telefoni i Agasit ka nxjerrë në pah komunikime të tij me ish-numrin një të policisë. Një detaj tejet i rëndë, pasi në një kohë që policia duhet të ofrojë siguri për vendin, bashkëpunon me krimin. Emri i Vlora Hysenit e bën situatën edhe më të rëndë. Ajo nuk drejtonte një zyrë të zakonshme, por SHISH-in. Prandaj pyetja nuk është vetëm “çfarë ka bërë Hyseni?”, por “kush tjetër e kishte mundësinë ta merrte këtë informacion dhe sa larg ka shkuar?” Nëse Ergys Agasi ka marrë informacion shtetëror përmes një zyrtareje të lartë, atëherë SPAK duhet të zbulojë të gjithë zinxhirin, jo vetëm hallkën që u kap. A ka njerëz të tjerë brenda institucioneve? A ka pasur shkëmbim informacioni me persona të tjerë të botës kriminale?
 
Dhe këtu vjen Edi Rama. Hyseni u emërua në krye të SHISH me propozimin e tij, pasi kishte kaluar më parë në strukturat e sigurisë së Kosovës dhe më pas kishte qenë këshilltare e Ramës. Sot pyetja politike nuk mund të shmanget, kush e verifikoi personin që iu besua çelësi i informacionit më të ndjeshëm të shtetit? Nëse rezulton se një grup kriminal ka pasur akses te informacionet e SHISH, atëherë nuk mjafton të thuhet se përgjegjësia është vetëm individuale. Duhet parë nëse ka dështuar i gjithë mekanizmi i kontrollit. A duhet të japë dorëheqjen Rama? Kjo është një përgjegjësi politike që duhet të gjykohet mbi faktet që do të dalin. Por një gjë është e qartë, nëse krimi ka arritur të marrë informacionin e shtetit nga brenda, atëherë pyetja më e frikshme nuk është “kush është mafia?”, por “sa njerëz të shtetit punojnë për të?”
 
Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit