Sektori bankar, “i vaksinuar” ndaj pandemisë! Si i mbijetoi krizës

Sektori bankar, “i vaksinuar” ndaj pandemisë! Si…

Kriza ekonomike që ndoqi pandeminë e muajit mars ngriti shqetësime se sektori bankar i vendit do të përballej me një krizë të re, të papritur, pa kapërcyer ende plotësisht efektet e krizës së gjatë ekonomike. Deri tani, të dhënat tregojnë se sektori bankar është ndër aktivitetet që e menaxhoi më mirë krizën, duke vazhduar rritjen e aktiveve, kredisë dhe depozitave, duke mbajtur nën kontroll kreditë me probleme dhe duke ruajtur përfitueshmërinë.

Mbështetur në treguesit kryesorë financiarë, sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, të publikuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave, sistemi bankar u rrit me afërsisht 7% vitin e kaluar. Në fund të vitit 2020, aktivet e sektorit bankar arritën në 99.2% të PBB-së (mbështetur në vlerësimet tremujore të INSTAT), në rritje të ndjeshme nga niveli prej 88.5% i një viti më parë. Ky është rezultat i një viti në rritje pozitive, ndërkohë që ekonomia pësoi tkurrjen më të fortë në 23 vjet.

Portofoli neto i kredisë regjistroi rritjen më të shpejtë që nga viti 2014 dhe arriti një vlerë sa rreth 36.1% e PBB-së, nga 32.9% një vit më parë. Fitimi i sektorit bankar, në vlerë absolute, ishte pothuajse në të njëjtën vlerë me vitin e kaluar dhe pranë niveleve më të larta të dekadës së fundit. Pavarësisht rezultateve të mira të vitit 2020, është herët për të thënë nëse bankat e kanë kaluar sprovën e pandemisë e COVID-19.

Për shkak të mbështetjes me masa rregullatore të përkohshme, përcjellja e efekteve të krizës do të jetë më e vonuar në kohë, ndoshta duke nisur nga mesi i këtij viti. Bankierët janë optimistë se ky efekt do të jetë i përkohshëm dhe i menaxhueshëm, por në thelb, do të varet shumë nga shpejtësia e rimëkëmbjes së ekonomisë reale.

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave, INSTAT

Sistemi “përsërit” fitimin e 2019-s

Rezultati i përbashkët i 12 bankave të sistemit për vitin 2020 ishte fitimprurës në vlerën e 14.1 miliardë lekëve, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2019. Kjo shifër është gjithashtu pranë niveleve më të larta të fitimit të regjistruar, sipas IFRS në dekadën e fundit. Sipas standardeve të mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, fitimi neto për vitin 2020 ishte rreth 16.9 miliardë lekë, 15% më pak krahasuar me vitin e mëparshëm.

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave, Banka e Shqipërisë

Njëlloj si vitin e kaluar, dhjetë prej bankave raportuan fitime, ndërsa vetëm dy, Procredit Bank dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë, e mbyllën vitin me humbje. Shtatë banka shënuan rezultat financiar me përmirësim krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa pesë prej tyre pësuan rënie të tij.

Banka me fitimin më të lartë, edhe për vitin 2020, ishte BKT, në vlerën e 6.2 miliardë lekëve, e ndjekur nga banka OTP, me 1.52 miliardë lekë dhe Raiffeisen, me 1.49 miliardë lekë. Krahasuar me një vit më parë, banka me rritjen më të lartë të fitimeve ishte ABI Bank, me pothuajse 70%, e ndjekur nga Tirana Bank, me 67% dhe BKT, me 16%.

Vlen të thuhet që në vitet e fundit ka një tendencë të një shpërndarje më të mirë të fitimit të sektorit mes bankave të ndryshme. Për herë të parë, numri i bankave që arritën një fitim më të lartë se 1 miliard lekëve arriti në gjashtë, që përfaqësojnë gjysmën e bankave të sektorit. Nëse fitimet, sipër këtij kufiri, historikisht kanë qenë “monopol” i bankave të mëdha, me të paktën 10% pjesë tregu, në vitet e fundit, fitimet e këtij rendi po arrijnë edhe disa banka të përmasave të mesme, si OTP apo ABI Bank.

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

Rritja e eficiencës së bankave të mesme duket qartë edhe në teknikat relative të matjes së fitimit ose treguesit e rentabilitetit. Në terma të kthimit nga kapitali, banka më fitimprurëse për të dytin vit radhazi ishte OTP Albania, me 17.12%, e ndjekur nga Banka Kombëtare Tregtare, me 13.62%, Banka Amerikane e Investimeve me 13.6% dhe Banka e Parë e Investimeve (Fibank) me 11.15%. Bankat e tjera kanë kthime njëshifrore, por përgjithësisht me një tendencë përmirësimi në kohë.

Në terma mesatarë, kthimet nga kapitali që siguron sektori bankar shqiptar nuk do të ishin shumë të lakmueshme nga investitorët për kohëra normale. Por, duke pasur parasysh trashëgiminë e krizës së gjatë financiare dhe krizën e re, të ashpër, të pandemisë, sektori po shfaqet në territor të kthimeve të kënaqshme. Kthimi mesatar nga kapitali i sistemit, llogaritur me IFRS, sipas Shoqatës së Bankave, ishte 8.63%.

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

Sektori bankar u rrit me 6.9%

Totali i aktiveve të sektorit bankar, në fund të vitit 2020, arriti vlerën e pothuajse 1.6 trilionë lekëve, ose rreth 12.9 miliardë eurove. Gjatë një viti, sektori bankar shqiptar u zmadhua me 6.9%.

Rritja u mbështet sidomos në zgjerimin e investimeve në letra me vlerë, me 14% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ky zë u ndikua ndjeshëm nga investimi në vlera të mëdha në obligacionet në euro të emetuara nga qeveria shqiptare, sidomos në eurobondin e muajit qershor. Pesha e letrave me vlerë në bilancin e sektorit u rrit në 35.4% të aseteve, nga 33.1% një vit më parë. Edhe portofoli i kredisë vijoi rritjen pozitive dhe u zgjerua me rreth 5% me bazë vjetore dhe mbetet shtylla kryesore në bilancin e sektorit, me 36.3% të aktiveve. Kjo lloj shpërndarjeje i siguron sektorit bankar një shpërndarje të mirë të rrezikut dhe ndihmon në ruajtjen e niveleve të larta të kapitalizimit dhe likuiditetit.

Bankat ulën ndjeshëm vendosjet dhe depozitat në bankat e tjera me rreth 22%, duke i kanalizuar një pjesë të mirë të këtyre fondeve tek obligacionet në euro, por edhe në kreditim. Në veçanti, për fondet në euro, mbajtja e tyre në formën e vendosjeve apo depozitave rezulton aktualisht me kthime reale negative, ndaj bankat kanë shfrytëzuar mundësitë për t’i zhvendosur një pjesë të mirë të fondeve të lira në instrumente më fitimprurëse.

Edhe për vitin 2020, BKT ishte, me distancë, banka më e madhe në vend, me 26.4% të totalit të aktiveve. Megjithatë, pjesa e tregut të BKT ka rënë me 0.6 pikë përqindje, krahasuar me një vit më parë. Credins Bank ka konsoliduar më shumë pozicionin si banka e dytë më e madhe, me 15.5% të aktiveve. Credins është njëkohësisht banka me rritjen më të madhe të pjesës së tregut për vitin 2020, me 0.7 pikë përqindje.

Raiffeisen Bank, në fund të vitit 2020, zotëronte 14.9% të tregut dhe Intesa Sanpaolo, me 12.2%, të dyja me një rënie të pjesës së tregut me 0.1 pikë përqindje. Ndër bankat e tjera, rritje të pjesës së tregut kanë regjistruar ABI Bank, Tirana Bank, Union Bank dhe ProCredit Bank. Alpha Bank ka pësuar rënie të ndjeshme me gjysmë pikë përqindje, ndërsa bankat e tjera kanë qëndruar në pozita të përafërta me vitin 2019.

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

Kredia me rritjen më të lartë që nga 2014

Mbështetur në të dhënat nga Shoqata e Bankave, portofoli neto i kredisë së sektorit bankar në fund të vitit 2020, arriti vlerën e 579 miliardë lekëve, ose rreth 4.7 miliardë eurove. Teprica e kredisë u rrit me rreth 5% krahasuar me një vit më parë. Kjo është rritja më e lartë e portofolit të kredisë bankare që prej vitit 2014.

Në terma bruto, besohet se rritja ka qenë më e lartë, por rritja e shpenzimeve për provigjione në vitin 2020 e ka frenuar disi rritjen në terma neto. Vlera e provigjioneve, sipas IFRS, nuk është e disponueshme, megjithatë, sipas standardeve të raportimit të Bankës së Shqipërisë, shpenzimet për humbje të pritshme nga kreditë arritën vlerën e 7.3 miliardë lekëve, në rritje me pothuajse 40 herë vitin e kaluar dhe njëkohësisht në nivelin më të lartë që prej vitit 2016.

Pavarësisht krijimit të kushteve rregullatore mbështetëse, bankat i rritën shpenzimet për provigjionimin e kredive, në nivele shumë më të larta krahasuar me tre vitet paraardhëse. Rritja mund të reflektojë një qasje më të kujdesshme, për t’u paraprirë efekteve të keqësimit të cilësisë së portofolit të kredisë në vitit 2021. Në momentin e shpërthimit të pandemisë, në muajin mars, huadhënia pothuajse u pezullua dhe bankat u fokusuan kryesisht në procesin e shtyrjes së kësteve. Shtyrja e kësteve ndikoi njëkohësisht në ngadalësimin e amortizimit të portofolit ekzistues të kredisë.

Megjithatë, në gjysmën e dytë të vitit, huadhënia iu kthye rritjes, edhe falë skemave të garancisë sovrane të vendosura në dispozicion nga qeveria shqiptare. Mbështetur në të dhënat paralele të Bankës së Shqipërisë, rritja e kredisë vitin e kaluar u mbështet sidomos nga sektori i biznesit, ku portofoli u zgjerua me 10.2%, ndërsa portofoli i individëve vazhdoi tendencën e rritjes së qëndrueshme, me 6.7%.

Një zhvillim tjetër domethënës për vitin e kaluar ishte rritja e ndjeshme e kredisë në monedhën vendase. Në fund të vitit 2020, kredia në lekë përbënte 52.7% të kredisë dhënë për ekonominë shqiptare (pa llogaritur kredinë për jo rezidentët), nga 52.3% që zinte një vit më parë. Nëse do të përjashtonim portofolin e kompanive publike, rritja e kreditimit në Lek rezulton edhe më e lartë.

Rritja e kredisë, nga bankat e “mesme”

Credins Bank ishte, edhe për vitin e kaluar, banka më e madhe kredituese e ekonomisë shqiptare, me 18.5% të totalit të kredisë, me rënie të lehtë me 0.1 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Banka më e madhe në vend, BKT, vitin e kaluar është shfaqur e kujdesshme në huadhënie, duke ruajtur pothuajse të njëjtën vlerë portofoli sa një vit më parë. Kjo ka bërë që pjesa e saj e tregut të ulet me 0.9 pikë përqindje.

“Në krahun e huadhënies, ne u përpoqëm më shumë të kufizonim dëmet dhe të ndërmjetësonim për linjat e kredisë me garanci sovrane, të vendosura në dispozicion nga qeveria” – thotë Seyhan Pencabligil, drejtor i përgjithshëm i BKT.

Rënie edhe më të fortë ka pësuar Raiffeisen, që në fund të vitit 2020 zotëronte 15.2% të portofolit të kredisë, dy pikë më pak krahasuar me një vit më parë. Pasi ekonomia u prek nga pandemia, bankat ndoqën qasje të ndryshme, njëlloj siç ndodhi në krizën e mëparshme. Një pjesë e tyre, si BKT apo Raiffeisen zgjodhën të mbanin pozita të kujdesshme dhe të mos rrisnin ekspozimet, ndërsa një pjesë e tjetër e vlerësuan këtë moment si mundësi të mirë për t’u zgjeruar në treg.

Ndër bankat që kanë ndjekur një qasje të tillë ishin OTP, Intesa Sanpaolo, Tirana Bank, ABI Bank, Union Bank, ProCredit Bank dhe Fibank, që të gjitha e zgjeruan portofolin dhe e rritën peshën në tregun e kredisë mes 0.3 dhe 0.9 pikë përqindje. Për banka si OTP, Union Bank apo Fibank, rritja e kredisë vitin e kaluar është në vazhdën e një tendence disavjeçare. Për disa banka të tjera, si për shembull Intesa Sanpaolo, Tirana Bank, ABI Bank apo ProCredit Bank, viti 2020 ishte një rikthim aktiv në tregun e kredisë, pasi për vite me radhë kishin mbajtur pozita më pasive.

Në një këndvështrim më të përgjithshëm, kreditimi në periudhën e pandemisë duket se është mbështetur, sidomos nga bankat e mesme të sistemit, ndërsa bankat më të mëdha, zgjodhën të mos marrin përsipër shumë rreziqe. Kjo mund të shpjegohet edhe me faktin se bankat e përmasave të mëdha kanë mundësi për të ruajtur eficiencën dhe përfitueshmërinë, falë bazës më të gjerë të klientelës dhe portofolave më të mëdhenj ekzistues, qoftë në hua apo letra me vlerë.

Për bankat e tjera, kriza pandemike është lexuar më shumë si një shans për t’u rritur dhe për të fituar terren në treg, mbështetur edhe në pritshmëritë se kriza e pandemisë do të ketë një cikël më të shkurtër krahasuar me krizën e mëparshme.

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

Kreditë me probleme, të qëndrueshme

Një nga treguesit më të rëndësishëm të vitit 2020 për sektorin bankar ishte padyshim ruajtja e një raporti të qëndrueshëm të kredive me probleme. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme, në fund të vitit 2020, ishte 8.1%, në rënie të lehtë nga niveli 8.4% që ishte regjistruar në fund të vitit 2019.

Qëndrueshmëria e raportit të kredive me probleme, pas shpërthimit të pandemisë, u ndikua shumë nga masat rregullatore lehtësuese që ndërmori Banka e Shqipërisë. Shfuqizimi i përkohshëm i kërkesës për të riklasifikuar kreditë e ristrukturuara ka mundësuar mbështetjen e huamarrësve që vuajtën pasojat e krizës pandemike. Në fillim të këtij viti, Banka e Shqipërisë vendosi t’i shtyjë këto masa edhe për një tremujor tjetër, me qëllim për t’i dhënë më shumë kohë përmirësimit të aftësisë paguese të debitorëve ndaj bankave tregtare. Kjo strategji, deri tani, ka ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të kredive me probleme, por edhe vazhdimin e rritjes së kredisë për ekonominë.

“Nëse do të kishim një impakt të fortë në cilësinë e kredisë dhe në provigjione, nuk do të kishim pasur mundësi të kreditonim me ato ritme. Mendoj se kjo politikë ishte e drejtë. Për sa kohë që ne prisnim një efekt të përkohshëm nga kjo krizë, nuk mund të lejohej që pasojat të ndikonin në mënyrë strukturore sistemin” – shprehet Flutura Veipi, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Union Bank.

Nga ana tjetër, masat e përkohshme e bëjnë të vështirë për të krijuar një ide të qartë të atij që mund të jetë efekti real i krizës në cilësinë e portofolit të kredisë së sektorit bankar. Efekti mund të fillojë të shfaqet në gjysmën e dytë të këtij viti, por shpresa e bankave dhe autoriteteve vendimmarrëse është që efektet e pandemisë do të fillojnë të zbuten, duke u dhënë frymëmarrje bizneseve, sidomos në sektorët e lidhur me turizmin dhe udhëtimet.

“Sezoni turistik do të jetë shumë domethënës në përcaktimin e pritshmërive për 2021. Sa do të hapet Europa dhe se sa turistë do të vijnë në Shqipëri, do të jenë ato që do të përcaktojnë pritshmëritë e 2021” – thotë Andi Ballta, Drejtor i Përgjithshëm i ABI Bank.

Sidoqoftë, bankierët, deri tani janë të mendimit se ky efekt do të jetë i përkohshëm dhe plotësisht i menaxhueshëm. “Ne presim përkeqësim të lehtë të cilësisë së portofolit të kredive gjatë këtij viti, por nuk mendoj se do të jetë më shumë se 1-2% e totalit të portofolit të kredisë. Gjithashtu mendoj se përkeqësimi do të jetë i përkohshëm dhe do të rikuperohet në vazhdim” – thotë për revistën “Monitor”, Bledar Shella, drejtor i përgjithshëm i Bankës OTP Albania.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Kapitalizimi mbetet solid

Me gjithë rritjen e konsiderueshme të huadhënies në vitin 2020, sektori bankar ruajti nivele të kapitalizimit. Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit në fund të vitit ishte 18.3%, afërsisht në të njëjtin nivel me një vit më parë dhe 6.3 pikë përqindje më i lartë se kërkesa minimale bazë e përcaktuar në rregulloren përkatëse të Bankës së Shqipërisë.

Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar, në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut. Ai është treguesi më i rëndësishëm rregullator për bankat tregtare dhe vlerëson aftësinë e tyre për të mbuluar me kapital rreziqet e marra përsipër. Vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku, në fund të dhjetorit 2020, arriti në 832.5 miliardë lekë, 6% më shumë krahasuar me një vit më parë. Kjo reflekton kryesisht rritjen e kreditimit dhe më në përgjithësi, një tendencë të bankave për të zgjeruar biznesin dhe për të marrë përsipër rreziqe, pavarësisht krizës së fortë ekonomike.

Edhe vlera e kapitalit rregullator të sektorit bankar u rrit me 9 miliardë lekë, ose 6.3% më shumë krahasuar me një vit më parë. Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar, në pjesën dërrmuese, është kapital i nivelit të parë, që përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, kryesisht kapitalin e paguar aksioner, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara. Raporti mes kapitalit të nivelit I dhe aktiveve me rrezik është 17.3%, duke dhënë kontributin kryesor në treguesin e kapitalizimit total të sektorit.

Sektori bankar në Shqipëri historikisht ka pasur nivele të larta kapitalizimi, për shkak të linjës rregullatore konservatore të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Pragu minimal i kërkuar është 12%, ndërsa për banka të veçanta, si për shembull ato me kapital grek, kërkesa në vitet e krizës ka qenë edhe më e lartë. Me miratimin e rregullores për shtesat makroprudenciale të kapitalit, nivelet minimale të kërkuara të kapitalizimit janë rritur edhe më shumë.

Nga fillimi i vitit 2021, bankat kanë përmbushur edhe shtesën konservuese prej 1% në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit. Për pesë bankat më të mëdha, që janë klasifikuar si banka me rëndësi sistemike, ky raport duhet të jetë edhe më i lartë, nga 13.5% për Intesa Sanpaolo dhe OTP Albania, në 14% për BKT, Credins dhe Raiffeisen.

Kërkesat për forcimin e kapitalizimit të bankave nisën të aplikoheshin gradualisht pas krizës financiare të vitit 2008, me qëllim forcimin e aftësive të bankave për t’iu rezistuar krizave të ardhshme, pa rënduar mbi buxhetet shtetërore. Ana tjetër e medaljes është se këto kërkesa në rritje për kapital mund ta bëjnë aktivitetin e bankave më pak eficient dhe të krijojnë kosto shtesë, që në fund i përcillen publikut të gjerë. Megjithatë, në kohërat e turbullta që po kalon ekonomia prej më shumë se një dekade, autoritetet rregullatore po i japin prioritet rritjes së sigurisë dhe ngritjes së pritave më të forta ndaj goditjeve të mundshme në të ardhmen.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Pasiguria mbështeti rritjen e depozitave

Zgjerimi i depozitave ishte një faktor kyç për vazhdimësinë e rritjes së sektorit bankar edhe në një vit krize. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, totali i depozitave arriti vlerën e 1.29 trilionë lekëve, ose rreth 10.44 miliardë eurove. Gjatë vitit të kaluar, depozitat u shtuan me  93 miliardë lekë ose rreth 7.8%. Struktura e depozitave dominohet nga individët, me rreth 82.5% të totalit.

Rritja në këto përmasa e depozitave gjatë një viti krize ishte pjesërisht një surprizë dhe kryesisht mund të shpjegohet me pasigurinë e lartë që solli pandemia, duke nxitur prirjen për kursim në ekonomi. Ndoshta edhe më surprizë ishte fakti që rritja e depozitave ishte ndjeshëm më e lartë te bizneset, sesa tek individët.

Nëse për individët, depozitat u zgjeruan me 5.8%, për bizneset, rritja arriti në 18.4%. Rritja e depozitave të biznesit me përmasa të tilla, në një vit krize, ishte e papritur, po të kemi parasysh se për vitin 2019, ato kishin qenë në rënie, me rreth 6.5%. Kjo dëshmon se në përgjithësi bizneset shqiptare nuk kanë vuajtur për likuiditet gjatë krizës. Përkohësisht, ruajtja e likuiditetit të biznesit u ndihmua nga shtyrja e kredive për pothuajse gjashtë muaj.

Shtyrja e kësteve të kredisë u ka mundësuar bizneseve shqiptare likuiditete në vlerën e rreth 188 milionë eurove. Banka e Shqipërisë vlerëson se ndikimi financiar i shtyrjes së kredive, vetëm në segmentin e sipërmarrjes, arriti në 23.3 miliardë lekë, ose rreth 11% e fondit total vjetor të pagave. Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik e ka ulur volumin e aktivitetit të biznesit, që ka vendosur në punë më pak para gjatë kësaj periudhe. Kjo ka bërë që më shumë fonde të ngelen të disponueshme në llogaritë bankare. Pas mesit të vitit 2020, kreditimi i ekonomisë, përfshi biznesin, i është kthyer ritmeve normale, madje më të larta krahasuar me një vit më parë.

Bankat kanë vazhduar të mbështesin bizneset me linja financimi, duke lënë në dispozicion likuiditete që, për shkak të situatës, mund të jenë përdorur më pak se në vitet e shkuara. Gjithashtu, tendenca e përgjithshme për të kursyer pas krizës, fenomen i vërejtur në shumicën e ekonomive europiane, ka prekur edhe bizneset. Pasiguria për të ardhmen, e lidhur me ciklin e pandemisë së COVID-19, ka krijuar një tendencë për ulje të shpenzimeve dhe ruajtje të burimeve financiare deri në daljen nga kriza. Tendenca ishte e dukshme edhe tek individët, që në vlerë absolute, dhanë sërish kontributin më të madh në rritjen e depozitave.

Kriza e beftë që solli pandemia e COVID-19 i shtyu shqiptarët të ulin shpenzimet dhe të rrisin kursimet. Duke iu referuar studimeve nga bankat qendrore, një sjellje e tillë konsumatore e individëve evidentohet gjithashtu në shumicën e vendeve të Rajonit dhe të Bashkimit Europian. Për sa u përket zhvillimeve në të ardhmen, të dhënat e vrojtimeve mbi pritjet e individëve për kursim, nxjerrin në pah një prirje në ngadalësim të tyre për 12 muajt e ardhshëm.

Me rënien e burimeve të të ardhurave për periudha kohore të zgjatura, individët priren të ruajnë një nivel të qëndrueshëm në kohë të konsumit të mallrave dhe shërbimeve bazë, duke përdorur kursimet për përballimin e nevojave të tyre. Megjithatë, studimet e ngjashme për situata të tilla në të shkuarën sugjerojnë gjithashtu se në kohëra krizash ekonomike, fatkeqësish natyrore apo epidemish, mund të priten ndryshime strukturore në sjelljen e ekonomive familjare. Efekti i pasigurisë për të ardhmen mund të mbizotërojë atë të rënies së të ardhurave në ecurinë e pritshme të kursimeve; kjo nënkupton se individët mund priren edhe më shumë drejt kursimit, duke ulur më tej konsumin.

Pjesa e tregut në depozita është një element me rëndësi të madhe në përcaktimin e peshës dhe fuqisë së tregut të bankave, duke qenë se ato janë burimi kryesor i financimit të ndërmjetësimit financiar. Për vitin 2020, pjesa e tregut të bankës më të madhe, BKT, ra në 25.2%, nga 25.6% një vit më parë.

Banka e dytë më e madhe, Credins, shënoi rritjen më të lartë në pjesën e tregut për depozita në vitin 2020, duke arritur në 16.4%, nga 15.3% një vit më parë. Ndër bankat e tjera, rënie të peshës së tregut pësuan edhe Raiffeisen, Intesa Sanpaolo, OTP, ABI Bank dhe Alpha Bank, ndërsa në rritje ishin Tirana Bank dhe ProCredit Bank.

Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave

Përqendrimi i tregut ka rënë

Pas vitit 2015, kriza nxiti një proces konsolidimi dhe përqendrimi të sektorit bankar në Shqipëri. Numri i bankave tregtare zbriti në 16 nga 12, pas shkrirjes së Veneto Banka me Intesa Sanpaolo, të NBG Bank me ABI Bank, të Bankës Ndërkombëtare Tregtare me Union Bank dhe daljes nga tregu të Bankës së Kreditit të Shqipërisë. Në raste krizash, përqendrimi është një proces i zakonshëm në tregjet bankare, që ka si synim krijimin e bankave më të mëdha dhe më të forta financiarisht.

Në teori, ulja e numrit të bankave mund të ndikojë në pakësimin e konkurrencës në treg. Praktikisht, kjo nuk ndodh gjithmonë, sepse shpesh bankat që dalin nga tregu nuk janë shumë konkurruese, ndërsa bankat më të mëdha që krijohen mund të jenë më solide, më të gatshme për të marrë përsipër rrezik, duke i dhënë më shumë shtysë konkurrencës.

Mënyra më e zakonshme për të matur shkallën e përqendrimit të tregut është Indeksi Herfindahl-Hirschmann (HHI), që ndërtohet si shuma e pjesës së tregut, të ngritur në fuqi të dytë, të secilës firmë. Pragu poshtë të cilit një treg përgjithësisht pranohet si konkurrues është 1500.

Nga llogaritjet e mbështetura në të dhënat e Shoqatës së Bankave, rezulton se indeksi HHI është poshtë nivelit të 1500 për treguesit kryesorë. Vitin e kaluar, përqendrimi pësoi rënie për aktivet, kreditë dhe depozitat. Në veçanti, kredia është tregu me nivelin më të ulët të përqendrimit dhe njëkohësisht, me rënien më të madhe të këtij treguesi vitin e kaluar.

Kjo i detyrohet pikërisht konkurrencës në rritje nga bankat e mesme të sektorit, që në vitet e fundit po fitojnë më shumë pjesë tregu. Sidoqoftë, një matje më e saktë e konkurrencës në treg zakonisht kërkon analiza më të detajuara në nivel të produkteve të veçanta, ku përqendrimi është më i lartë. Në vitin 2019, Autoriteti i Konkurrencës hapi një hetim të thelluar për katër bankat më të mëdha në vend. Sipas burimeve të revistës “Monitor”, vendimi për hetimin është marrë në nëntor 2020, por, Autoriteti i Konkurrencës ende nuk e ka bërë publik.

Burimi: Shoqata e Bankave, Llogaritje të Monitor

Pandemia nxiti dixhitalizimin

Një nga efektet më të dukshme të pandemisë në operacionet e sektorit bankar ishte nxitja e përdorimit të pagesave alternative. Kufizimet e vendosura dhe frika se kontakti me paranë cash mund të shtonte rreziqet e infektimit i shtynë shqiptarët të përdornin më shumë instrumentet e pagesave jo cash. Sipas Bankës së Shqipërisë, numri i transaksioneve përmes kanaleve bankare në distancë, si internet banking apo mobile banking, për vitin 2020 arriti shifrën rekord prej 4.12 milionësh, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në afërsisht 586 mijë, në rritje vjetore me 33%, ose rreth 144 mijë llogari më shumë. Përdorimi i internet banking është rritur për të dymbëdhjetin vit radhazi, ndërkohë që vetëm në harkun e pesë viteve të fundit, numri i llogarive të aksesueshme nga interneti është katërfishuar.

Rritja e numrit të llogarive të lidhura me internetin ishte e lartë si te bizneset, me pothuajse 39%, edhe tek individët, me 33%. Si raport i thjeshtë i numrit të llogarive me numrin e përgjithshëm të popullsisë, vlerësohet se në Shqipëri, numri i llogarive të lidhura me internetin është sa rreth 21% e popullsisë, në rritje të ndjeshme prej nivelit 15.5% të vitit 2019.

Shërbimi i internet banking ofrohet nga 11 prej 12 bankave tregtare në Shqipëri. Me rritjen e rëndësisë së teknologjisë në shoqëri, bankat po e vënë më shumë fokusin në promovimin e këtyre shërbimeve, si kanal alternativ për marrëdhëniet me klientët.

Internet banking u promovua edhe më shumë pas shpërthimit të pandemisë, i nxitur më tej edhe nga masat rregullative të Bankës së Shqipërisë, që gjatë mbylljes së ekonomisë pezulloi komisionet për pagesat ndërbankare nëpërmjet internetin. Ndërkohë, me ndryshimet e përhershme rregullative të miratuara në mesin e vitit 2020, u përcaktua se komisionet për transfertat nëpërmjet internetit duhet të jenë të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen në sportelet e bankave. Transfertat e vogla deri në shumën e 20 mijë lekëve do të kryhen pa asnjë komision.

Ndikimi pozitiv i pandemisë konfirmohet edhe në ecurinë e pagesave me kartë. Sipas Bankës së Shqipërisë, numri i pagesave me kartë në Shqipëri arriti në më shumë se 5.8 milionë në vitin 2020, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Pagesat në pikat elektronike të shitjes shënuan rritje domethënëse me 17% krahasuar me një vit më parë. Në fund të vitit 2020, numri i terminaleve POS arriti në më shumë se 12,100, në rritje me 8.7% krahasuar me një vit më parë. Shqiptarët kishin në përdorim 1.26 milionë karta bankare aktive, në pjesën dërrmuese, karta debiti të lidhura me llogaritë rrjedhëse. Numri i kartave të pagesave u rrit me 4.8% krahasuar me një vit më parë.

Tendenca drejt dixhitalizimit konfirmohet në mënyrë të tërthortë edhe nga një numër më i vogël i tërheqjeve cash në bankomate në 16.1 milionë, nga 16.5 milionë një vit më parë.

“Pagesat cash në të gjithë botën kanë rënë nga mbi 30% në 2018 në pak më shumë se 20% në 2020. Ato pritet të bien më tej, në 17% në 2022. Pagesat nëpërmjet kartave të debitit dhe të kreditit janë ende në rritje, por në një nivel shumë më të ulët se rritja e pagesave me celular. Ky transformim ndodh në një periudhë kur bankat do të vazhdojnë të përballen me rritje të kufizuar të të ardhurave. Prandaj, masat që rrisin aftësitë dixhitale të bankave dhe mundësojnë modele më të zhdërvjellëta të funksionimit, të cilat do të lejojnë shërbim më të mirë ndaj klientit dhe mundësi më të mëdha të riinvestimit” – thotë për revistën “Monitor”, Christian Canacaris, drejtor i përgjithshëm i Raiffeisen Bank Shqipëri.

Ndërsa Georgios Papanastasiou, drejtor i përgjithshëm i Alpha Bank Shqipëri, thotë se pandemia funksionoi si një katalizator për të optimizuar dhe për të modernizuar operacionet e brendshme, si dhe për të përshpejtuar transformimin dixhital.

“Mendoj se modeli operacional më i efektshëm për vitet në vijim është ai model që integron bashkë kanalet tradicionale dhe ato dixhitale të shpërndarjes. Edhe pse shërbimi i klientit ka pasur përmirësim të ndjeshëm falë shërbimeve dixhitale, kontakti njerëzor mbetet shumë i rëndësishëm në industrinë bankare, sidomos për disa linja të biznesit si huadhënia ku bashkëbisedimi me klientin është i domosdoshëm për të ofruar shërbim të dedikuar të bazuar te nevojat e klientit” – shton ai.

Pakësohen degët, por rritet punësimi

Numri i degëve të bankave tregtare pësoi rënie të mëtejshme vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, numri i degëve ka zbritur në 416, nga 446 një vit më parë. Procesi i dixhitalizimit të shërbimeve bankare dhe nevoja për optimizim të kostove i ka dhënë vazhdimësi të mëtejshme një procesi që ka nisur prej disa vitesh. Në vitet e mëparshme, procesi mori shtysë të mëtejshme nga konsolidimi i sektorit bankar.

Dixhitalizimi i shërbimeve bankare është një tendencë globale, që në shumë vende ka sjellë ulje të numrit të njësive fizike. Transfertat bankare në degë pësuan rënie për të gjashtin vit radhazi vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i transfertave bankare në formë letër për vitin 2020 zbriti në 5.4 milionë për vitin 2020, nga 5.6 milionë një vit më parë. Ulja e numrit të veprimeve në degë është një tendencë afatgjatë, që lidhet me zëvendësimin gradual të një pjese të veprimeve nëpërmjet kanaleve në distancë.

Numri i degëve dhe agjencive bankare arriti nivelin më të lartë në vitin 2012, me 556 degë dhe agjenci. Pas vitit 2013, numri i njësive bankare nisi të pakësohet, për shkak se kriza shtoi trysninë për uljen e kostove dhe rritjen e eficiencës. Në periudhën 2018-2019, numri i bankave tregtare është pakësuar nga 16 në 12. Si rezultat i bashkimeve mes bankave ekzistuese, një pjesë e mirë e degëve të bankave të përthithura u mbyllën.

Vlerësohet se Shqipëria ka aktualisht depërtimin më të ulët të degëve bankare në popullsi, me afërsisht 14 degë për 100 mijë banorë. Mbështetur në të dhënat e FMN për vitin 2019, Mali i Zi është shteti me numrin më të lartë të degëve bankare në raport me popullsinë, me afërsisht 41 degë për 100 mijë banorë, i ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 30 për 100 mijë banorë, Serbia me 28 për 100 mijë banorë dhe Maqedonia e Veriut me 24 për 100 mijë banorë.

Përgjithësisht, tendenca e depërtimit të njësive fizike të shërbimit bankar është në rënie në të gjitha vendet e rajonit. Paralelisht me tendencën e dixhitalizimit të shërbimeve, kriza e zgjatur ekonomike solli rritje të raportit të kredive me probleme dhe ulje të fitimeve të bankave. Nevoja për kontroll më rigoroz të shpenzimeve bëri që shumica e bankave të frenonim zgjerimin e rrjetit, madje të mbyllnin një pjesë të degëve ekzistuese.

Pavarësisht uljes së numrit të degëve dhe agjencive bankare, sektori bankar rriti numrin e të punësuarve vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të vitit 2020, sektori numëronte 6558 të punësuar, në rritje me 3% krahasuar me një vit më parë.

Punësimi në sektorin bankar (i matur në fund të vitit) i është rikthyer rritjes për herë të parë pas katër vitesh, pavarësisht vitit të vështirë të lidhur me pandeminë. Në vitin 2016, punësimi në sektorin bankar pati arritur nivelin më të lartë, me rreth 7 mijë të punësuar. Por, në atë moment nisi procesi i shkrirjeve dhe bashkimeve mes bankave tregtare, që solli shkurtimin e pothuajse 600 vendeve të punës gjatë tre viteve në vazhdim.

Përqendrimi solli dublim të pozicioneve administrative, por edhe të degëve në zona të veçanta, gjë që çoi në mënyrë të pashmangshme shkurtim të vendeve të punës. Pavarësisht tendencës për të ulur numrin e degëve fizike, me sa duket punësimi në sektorin bankar është mbështetur nga ecuria pozitive e biznesit dhe nga zgjerimi i shërbimeve të bankingut në distancë. Rritja e peshës së teknologjisë po sjell më pak nevojë për punonjës në degë, por ajo po kompensohet nga zgjerimi i stafeve të lidhura me shërbimet që mbështeten te teknologjia.

Sipas Shoqatës së Bankave, Fibank ka shënuar rritjen më të lartë të numrit të punonjësve, me 61%, e ndjekur nga Banka e Bashkuar e Shqipërisë me 12% dhe Tirana Bank me 6.2%. Banka me numrin më të madh të punonjësve mbetet Raiffeisen, me 1324 punonjës, e ndjekur nga Credins Bank me 964 punonjës dhe BKT, me 940 punonjës.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit