
Një ndër goditjet më të mëdha kundër trafikut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar u shënua këtë muaj, me kapjen e 2.4 tonëve kokainë që kapin një vlerë prej 96 milionë paundësh.
Një operacion i gjerë antidrogë në portin britanik London Gateway ka çuar në sekuestrimin e një sasie rekord kokaine, që vlerësohet në 96 milionë paund. Ngarkesa ilegale ishte fshehur në një anije kontejnerësh që kishte mbërritur nga Panamaja dhe përbën një ndër konfiskimet më të mëdha të kësaj dekade.
Operacioni u zhvillua në portin e Stanford-le-Hope në Essex, ku oficerët e Forcave Kufitare, me ndihmën e personelit të specializuar, kontrolluan 37 kontejnerë për të zbuluar drogën. Sipas autoriteteve britanike, kjo ishte kapja e gjashtë më e madhe e kokainës që nga fillimi i mbajtjes së statistikave.
Ministria e Brendshme bëri të ditur se operacioni u udhëhoq nga të dhëna të inteligjencës, dhe kapja përbën një goditje të drejtpërdrejtë për rrjetet ndërkombëtare të trafikut të drogës. “Ky sukses është rezultat i përdorimit të saktë të informacionit dhe një shembull i qartë i përpjekjeve tona për të shkatërruar zinxhirët kriminalë të furnizimit,” u shpreh një zëdhënës i Forcave Kufitare.
Charlie Eastaugh, drejtor i Forcave Detare në Forcën Kufitare, deklaroi se ky ishte një prej sekuestrimeve më të mëdha të këtij lloji. Ai theksoi se autoritetet britanike janë gjithnjë një hap përpara bandave kriminale dhe se inteligjenca e përbashkët me partnerët ndërkombëtarë ka qenë vendimtare në këtë sukses.
“Mesazhi ynë për këta kriminelë është i qartë: përdorimi i inteligjencës dhe bashkëpunimi ndërkombëtar po funksionojnë. Po dëmtojmë dhe po shkatërrojmë operacionet e tyre të paligjshme,” deklaroi Eastaugh.
Sipas tij, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme, janë nisur edhe programe trajnimi në vendet e Amerikës Latine, me qëllim parandalimin e nisjes së drogave drejt Evropës dhe në veçanti drejt brigjeve britanike. Kjo nismë tregon vendosmërinë për të luftuar trafikun ndërkombëtar në çdo hallkë të zinxhirit.
Ky zhvillim konsiderohet një nga sukseset më të mëdha të viteve të fundit në luftën kundër trafikimit të drogës në Mbretërinë e Bashkuar dhe pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në aktivitetin e grupeve të krimit të organizuar që operojnë në nivel global.