Autoritetet italiane kanë goditur një rrjet të dyshuar të trafikut të drogës, duke sekuestruar mbi 111 kilogramë kokainë gjatë një operacioni të zhvilluar nga Guardia di Finanza. Në kuadër të aksionit janë arrestuar tre persona, mes tyre edhe një shtetas shqiptar, ndërsa janë sekuestruar rreth 19 mijë euro para të gatshme, që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal.
Sipas mediave italiane, operacioni u koordinua nga Prokuroria e Ankonës dhe nisi pas kontrolleve në disa zona tregtare të rajonit Marche. Hetuesit ndoqën një automjet deri në Parma, ku konstatuan një shkëmbim të dyshimtë çantash me drejtuesin e një kamioni të rëndë.
Gjatë kontrollit në kabinën e kamionit u gjetën 100 blloqe kokaine dhe paratë cash, që dyshohet se ishin pagesë për transportin e drogës. Tre personat, me origjinë shqiptare dhe rumune, u arrestuan dhe u dërguan në burgun e Parmës, ndërsa autoritetet vlerësojnë se sasia e sekuestruar e kokainës mund të kishte një vlerë deri në 20 milionë euro në treg.