Një tjetër zhvillim ka nxjerrë në pah emrin e kompanisë “Qinglong Petroleum”, e cila është vendosur nën sekuestro nga administrata tatimore për shkak të detyrimeve fiskale të papaguara në vlerën e mbi 10.7 milionë lekëve të rinj, ose rreth 100 milionë lekë të vjetra.
Kompania, e regjistruar në Shqipëri si degë e një shoqërie me seli në Hong Kong, rezulton të jetë përfshirë edhe në hetimet e Prokurorisë së Fierit për aktivitetin financiar të koncesionarit të naftës “Bankers Petroleum”, veçanërisht gjatë periudhës kur kjo kompani drejtohej nga Leonidha Çobo.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Boldnews.al, më 12 tetor 2026, administrata tatimore i ka kërkuar Qendrës Kombëtare të Biznesit vendosjen e masës së sigurimit ndaj shoqërisë “Qinglong Petroleum Technology and Engineering Company LLP Albania Branch”, duke ndaluar tjetërsimin e aksioneve dhe pasurive të saj deri në shlyerjen e detyrimeve.
Në shkresën zyrtare thuhet se kompania, me administrator Junlin Sheng, ka një detyrim të papaguar prej 10.788.188 lekësh. Tatimet bëjnë me dije se subjektit i është dërguar më herët njoftimi për pagesën e detyrimit, por ky i fundit nuk është shlyer, duke bërë të nevojshme marrjen e masave shtrënguese.
Lidhja me hetimin për Bankers Petroleum
“Qinglong Petroleum” është regjistruar në Shqipëri në dhjetor të vitit 2023, si degë e kompanisë “China International Zoom Material Co Limited”, me seli në Hong Kong. Përfaqësuesit ligjorë të saj janë shtetasit Jiang Yijun dhe Junlin Sheng.
Emri i kësaj shoqërie shfaqet në dosjen hetimore të Prokurorisë së Fierit, e cila në dhjetor të vitit 2024 nisi hetimet për dyshime mbi fshehjen e të ardhurave, pastrimin e parave, shpërdorimin e detyrës dhe moskryerjen e detyrave nga organet tatimore.
Në qendër të hetimit ishte veprimtaria financiare e “Bankers Petroleum”, të paktën që prej vitit 2015. Prokurorët dyshojnë se kompania koncesionare ka fryrë në mënyrë fiktive shpenzimet për të shmangur detyrimet fiskale ndaj shtetit shqiptar. Në këtë hetim, një prej personave kyç ishte ish-administratori Leonidha Çobo.
Sipas akteve hetimore, dyshohet se një numër i madh kompanish janë përdorur për të qarkulluar dhe pastruar paratë e përfituara përmes kësaj skeme, ku përmendet edhe “Qinglong Petroleum”.
Në dosjen e paraqitur në gjykatë në korrik të vitit 2025, në kuadër të kërkesës për arrestimin e të paktën 14 personave, prokurorët ngrenë pikëpyetje mbi strukturën dhe aktivitetin e kompanisë. Ata vënë në dukje se pronari përfitues i saj është një shoqëri me seli në Hong Kong, juridiksion që, sipas tyre, përdoret shpesh për struktura korporative me qëllime të dyshimta fiskale ose ligjore.
Dyshimet e organit të akuzës lidhen edhe me mënyrën e funksionimit të kompanisë. Sipas të dhënave të hetimit, fillimisht ajo kishte të punësuar vetëm administratorin, ndërsa gjatë vitit 2024 numri i punonjësve u rrit në 24, shumica shtetas kinezë. Dhjetë prej tyre rezultonin të ishin paguar rregullisht, ndonëse nuk kishin hyrë asnjëherë në Shqipëri.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është aktiviteti financiar i shoqërisë. Sipas dosjes, gjatë vitit 2024, “Qinglong Petroleum” ka realizuar fitime prej rreth 1.3 milionë eurosh, ndërsa klientët e saj kryesorë rezultonin “Bankers Petroleum” dhe “Albdrilling”, kjo e fundit gjithashtu e përmendur në hetimin për skemën e dyshuar të pastrimit të parave.
Sekuestrimi për shkak të detyrimeve tatimore vjen në një kohë kur aktiviteti i kësaj kompanie mbetet pjesë e një prej hetimeve më të rëndësishme mbi mënyrën se si janë menaxhuar financat e koncesionarit të naftës në Shqipëri.
