Një velierë e dyshuar se përdorej për transportin e drogës është kapur në ujërat e Atlantikut nga autoritetet spanjolle, ndërsa në bord janë sekuestruar më shumë se 2 tonë kokainë. Gjatë operacionit janë arrestuar katër anëtarë të ekuipazhit, mes tyre dyshohet se ndodhet edhe një shtetas shqiptar, ndërsa të paktën dy nga të arrestuarit dyshohet se janë me origjinë nga Amerika e Jugut.
Operacioni është zhvilluar nga Shërbimi i Mbikëqyrjes Doganore spanjolle, pas një hetimi që dyshohet se ka nisur në Katalonjë. Veliera është tërhequr drejt gjirit të Vigos nga anija “Petrel I”, në pronësi të Shërbimit të Agjencisë Tatimore spanjolle, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur vendndodhjen e saktë ku u krye kapja. Hetuesit po punojnë për të zbardhur origjinën e ngarkesës dhe rrjetin kriminal që dyshohet se qëndron pas transportit.
Kjo është veliera e dytë e kapur nga “Petrel” gjatë kësaj vere për transportin e kokainës. Në qershor, pranë Ishujve Kanarie, u sekuestruan rreth 500 kilogramë kokainë në një tjetër velierë, në një operacion ku morën pjesë edhe autoritete ndërkombëtare. Ndërkohë, autoritetet spanjolle kanë intensifikuar luftën kundër narkotrafikut në Galicia, ku vetëm gjatë muajit gusht u sekuestruan rreth 3 tonë kokainë në dy operacione të ndryshme.

“
