
Qindra litra mbetje hidrokarbure rrjedhin çdo ditë në Vjosë nga Përroi i Madh, ndërsa institucionet heshtin përballë ndotjes
Në një ditë përvëluese qershori, rruga nacionale Selenicë–Tepelenë mbushet me erën e rëndë të gazit që shpërndahet nga kodrat e Gorishtës. Përroi i Madh, siç e quajnë vendasit, zbret përmes segmentit Vllahinë–Poçem dhe derdhet drejtpërdrejt në lumin Vjosë, duke bartur me vete jo ujë, por mbetje të rënda të naftës që rrjedhin pa kontroll nga puset e Albpetrol-it.
Në një terren të vështirë dhe të rrezikshëm për shëndetin, banorët lokalë tregojnë burimet e ndotjes. Ata shprehen se situata është e njëjtë prej më shumë se tri dekadash, ndërsa autoritetet shtetërore kanë mbyllur sytë përballë kësaj katastrofe mjedisore.
Pamjet janë tronditëse. Përroi i Madh, që duhet të sillte freski dhe jetë, është kthyer në një rrjedhë të zezë të mbushur me llum të trashë dhe aromë të padurueshme hidrokarburesh. Sipas banorëve, toka është helmuar, bagëtitë nuk mund të kullosin dhe të mbjellat janë në rrezik të plotë. Jeta në zonë është bërë e pamundur dhe ndotja ka prekur çdo segment të saj.
Pranë puseve, dallohet një ekskavator i Albpetrol-it, i cili përpiqet të pastrojë llumin e naftës. Por përmasat e ndotjes janë të tilla që asnjë mjet nuk mund ta fshehë masakrën mjedisore. Vjosa, e shpallur Park Kombëtar, ndodhet nën sulm të përditshëm nga mbetjet toksike që vijnë nga ky vendburim.
Nëse shohim të dhënat zyrtare të Albpetrol-it, aktualisht në Gorisht operojnë 142 puse aktive nga gjithsej 284. Këto puse, me thellësi nga 700 deri në 1500 metra, kanë prodhuar mbi 11 mijë ton naftë vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, ndërsa në vitin 2024 u raportua një prodhim total mbi 32 mijë ton.
Kjo nxjerrje e pakontrolluar, pa masa mbrojtëse për mjedisin, ka kthyer lumin Vjosë në një kanal mbetjesh të naftës. As kompania shtetërore Albpetrol dhe as Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk kanë dhënë ndonjë sqarim publik apo reagim lidhur me këtë ndotje të përmasave alarmante.
Banorët ndihen të braktisur dhe pa zgjidhje. Ndërkohë që Shqipëria pretendon të mbrojë pasuritë natyrore dhe të zhvillojë turizmin e qëndrueshëm, Vjosa vazhdon të helmatiset përditë nën heshtjen e autoriteteve dhe indiferencën institucionale.