Autoritetet serbe kanë arrestuar një 73-vjeçar nga Kosova, të cilin e akuzojnë për përfshirje në krime lufte gjatë konfliktit të vitit 1999.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i arrestuari me inicialet O.S. u ndalua në pikën kufitare të Mutivodës, ndërsa po hynte në territorin serb.
Prokuroria serbe pretendon se më 14 qershor 1999, në lagjen Sofali të Prishtinës, ai, në bashkëpunim me disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka vrarë me armë zjarri dhe mjete të ftohta çiftin serb Vladimir dhe Persa Stanisavljeviç.
Pas arrestimit, ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa dosja i është referuar Prokurorisë për Krime Lufte në Beograd, e cila do të vijojë hetimet.
Ndërkohë, familja e të arrestuarit ka reaguar publikisht, duke hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe duke i cilësuar ato të pabazuara.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, familjarët bëjnë me dije se bëhet fjalë për Osman Selmanin, i cili, sipas tyre, u arrestua më 1 korrik teksa po kthehej nga vendlindja.
“Ju njoftojmë se babai ynë, Osman Selmani, është arrestuar më 01.07.2026 në pikën kufitare Mutivodë, teksa po kthehej nga vendlindja e tij. Aktualisht ndodhet në Prokurorinë për Krime Lufte në Beograd, përballë akuzave të cilat ne, si familje, i konsiderojmë të pabazuara dhe të pavërteta.
Ne besojmë në pafajësinë e tij dhe do të qëndrojmë pranë tij deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës. Kemi besim se drejtësia do të mbizotërojë dhe e vërteta do të dalë në pah. Ju falënderojmë për çdo mbështetje dhe lutje në këto momente të vështira për familjen tonë”, thuhet në reagimin e familjes.
Çështja pritet të shqyrtohet nga autoritetet serbe, ndërsa familja këmbëngul se Osman Selmani është i pafajshëm dhe se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë.