Serbia kërkon seancë të jashtëzakonshme për Kosovën në Këshillin e Sigurimit

Serbia kërkon seancë të jashtëzakonshme për Kosovën…

Ambasadori i Serbisë në Kombet e Bashkuara ka dorëzuar një kërkesë për një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar për Kosovën. Në kërkesë, theksi i veçantë vihet te situata në Kosovë, që sipas Serbisë është në kontrast të madh me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Serbia në kërkesën e përshkruan vendimin e Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb për pagesa, si të jashtëligjshëm. Sipas Beogradit, qëllimi është spastrimi etnik dhe zhdukja e popullatës serbe. Tensionet janë rritur sërish pasi në Kosovë më 1 shkurt hyri në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës, euro është valuta e vetme për pagesat, që nënkupton ndalimin e përdorimit të dinarit serb.

Faktori ndërkombëtar ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit të BQK-së, duke shprehur shqetësimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb. Në vendbanimet ku jetojnë serbët në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar që nga paslufta. Deri më tani, dinarët janë dërguar në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se institucioni i vetëm që Serbia do të ketë në Kosovë do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit