Serbia ndalon sërish sportistët e Kosovës në kufi

Serbia ndalon sërish sportistët e Kosovës në…

Serbia ka ndaluar sërish sportistët e Kosovës në kufi.  Zyrtarët e Komitetit Olimpik të Kosovës, thanë se ekipi përfaqësues i boksit nuk po lejohet të hyjë në Serbi për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që mbahet në Beograd.

Sipas tyre, për herë të tretë brenda dy ditësh, sportistëve të Kosovës po u ndalohet hyrja në Serbi.

Në një njoftim të Komitetit Olimpik të Kosovës thuhet se “ekipi tentoi të kalojë kufirin në Merdarë, por pas dy orë pritje në kufi dhe kontrollimi të detajshëm të makinës dhe veshjeve, policia serbe mori urdhrin nga Qeveria e Serbisë për të mos lejuar hyrjen në Serbi”.

Sipas Komitetit Olimpik, ekipi i boksit u nis për herë të tretë drejt Serbisë, me kërkesën e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit. “KOK (Komiteti Olimpik i Kosovës) dënon ashpër veprimin e Qeverisë së Serbisë, derisa do të kërkojë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe organet tjera përkatëse të marrin masa ndaj Serbisë”, thuhet në reagim.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit