Shala: Përfshirja e nxënësve në mësimin online është mbi 90%

Shala: Përfshirja e nxënësve në mësimin online…

Shpresa Shala, Drejtore e Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka vlerësuar se transmetimi i njësive mësimore online ka ndikuar në angazhimin e fëmijëve në kohë pandemie.

“Si komunë jemi angazhuar që këto mësime t’i kthejmë në normalitet duke i kyçur edhe mësimdhënësit që të kenë kontakte të përditshme me fëmijët, në mënyrë që të realizohet mësimi online i kompletuar” tha ajo.

Shala pohoi se ka pasur një mobilizim të mirë dhe se po arrihen rezultate në këtë formë të të mësuarit.

Ajo theksoi se deri më tani përfshirja e fëmijëve në mësimin online është mbi 90%, duke iu referuar raporteve javore që përgatiten për Ministrinë e Arsimit.

Shala gjithashtu njoftoi se Komuna e Prishtinës është duke e bërë digjitalizimin e shkollave gjë që do të mundësojë menaxhimin e shkollave në mënyrë digjitale, me ç’rast ka iniciuar edhe platformën e-shkollori.

“Kjo platformë për këtë moment është e domosdoshme. Tani kemi mundësinë qe nga Drejtoria e Arsimit ta shohim komplet aktivitetet që zhvillohen tek mësimdhënësit me nxënës, drejtorët e shkollave me mësimdhënës dhe gjithashtu komunikimin e prindërve me nxënës dhe mësimdhënës”.

Sa i përket rikthimit të nxënësve nëpër shkolla, Shala tha se mbetet të vendoset sipas rekomandimeve të IKSHPK dhe Ministrise së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit