SHBA bombardon Iranin me raketa nga jugu në veri

SHBA bombardon Iranin me raketa nga jugu…

Përshkallëzohet edhe më tej konflikti në Lindjen e Mesme. Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme me raketa ndaj objektivave ushtarakë në disa zona të Iranit, nga jugu deri në brigjet e Detit Kaspik, pasi presidenti Donald Trump paralajmëroi se Teherani dhe aleatët e tij Huthi do të përballen me “ndëshkim të madh ushtarak”.

Sulmet erdhën pasi rebelët Huthi në Jemen zgjeruan bllokadën detare edhe në hyrjen e Detit të Kuq, duke goditur dy anije-cisternë saudite në ngushticën Bab el-Mandeb. Si pasojë, çmimi i naftës u rrit përkohësisht mbi 100 dollarë për fuçi, ndërsa kompanitë e transportit detar po detyrohen të përdorin rrugë shumë më të gjata rreth Afrikës.

Ndërkohë, Irani reagoi duke deklaruar se ka goditur baza dhe objekte ushtarake amerikane në Kuvajt, Bahrein, Jordani dhe rajonin e Kurdistanit në Irak. Sipas Gardës Revolucionare, janë dëmtuar edhe pajisje vëzhgimi të përdorura nga Flota e Pestë Amerikane në Bahrein.

Nga ana tjetër, ushtria jordaneze njoftoi se ka rrëzuar shtatë raketa dhe gjashtë dronë iranianë, duke bërë të ditur se nuk ka pasur viktima apo dëme materiale. Deri tani, Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) nuk ka reaguar mbi pretendimet e Iranit.

Mediat iraniane raportojnë se raketat amerikane kanë goditur edhe selinë e Marinës së Gardës Revolucionare në provincën Gilan, pranë Detit Kaspik, si dhe qytetin portual Bandar Anzali. Sipas televizionit shtetëror iranian, në Ahvaz katër persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur.

Në një deklaratë, Garda Revolucionare u bëri thirrje qytetarëve të vendeve të Gjirit të largohen nga zonat ku mund të ndodhen personel ose objekte të përdorura nga ushtria amerikane, duke paralajmëruar për sulme të tjera.

Presidenti Donald Trump deklaroi se Irani do të mbahet përgjegjës për çdo sulm të mëtejshëm të rebelëve Huthi dhe se “ndëshkim i madh ushtarak” do të ushtrohet ndaj Teheranit dhe aleatëve të tij. Në një intervistë për Axios, ai u shpreh se po shqyrton rifillimin e një fushate të gjerë ushtarake kundër Iranit, duke thënë se “nuk kanë marrë ende mjaftueshëm dhimbje”.

Përshkallëzimi i konfliktit po vazhdon të tronditë tregjet ndërkombëtare, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se goditjet ndaj dy prej korridoreve më të rëndësishme detare të naftës mund të sjellin pasoja të reja për ekonominë globale.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit