
Një vendim i bujshëm i Gjykatës Supreme në SHBA ka vendosur në anën e prindërve të shtetit të Merilendit, duke i lejuar ata të përjashtojnë fëmijët nga programet shkollore që përfshijnë libra me përmbajtje LGBTQ. Me një shumicë votash 6-3, gjykata dha një lehtësim paraprak për prindërit që kundërshtuan kurrikulën e miratuar në vitin 2022 nga Shkollat Publike të Qarkut Montgomery.
Prindërit argumentuan se mësimi i temave të identitetit gjinor dhe orientimit seksual bie ndesh me besimet e tyre fetare dhe përbën shkelje të Amendamentit të Parë të Kushtetutës së SHBA-së. Gjykata pranoi se detyrimi i fëmijëve për të ndjekur këtë lëndë pa mundësi përjashtimi përbën një “barrë jokushtetuese mbi të drejtat fetare”.
Çështja filloi në vitin 2022, kur Shkollat Publike të Qarkut Montgomery përfshinë në kurrikulën e shkollës fillore disa libra me përmbajtje LGBTQ, si “Këlyshi i Krenarisë”, një histori për një qen që humbet në një paradë krenarie. Fillimisht, prindërit kishin të drejtën të zgjidhnin që fëmijët e tyre të mos merrnin pjesë në këto mësime, njësoj si në rastin e edukimit seksual.
Por në mars 2023, bordi i shkollës vendosi të heqë mundësinë e përjashtimit për të gjitha temat, përveç edukimit seksual, duke e justifikuar këtë me rritjen e mungesave dhe ngarkesën administrative. Kjo solli reagimin e tre familjeve me bindje të ndryshme fetare — myslimane, katolike dhe ortodokse ukrainase — të cilat paditën shkollën duke argumentuar se kjo praktikë cenon lirinë e tyre fetare.
Familjet kërkonin që fëmijët e tyre të përjashtoheshin nga mësimet që përfshinin këto libra. Gjykata e Lartë e SHBA vendosi në favor të tyre, duke arsyetuar se ndalimi i përjashtimeve për librat me tema LGBT përbën shkelje të të drejtave fetare të prindërve, të mbrojtura nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës.
Gjykata urdhëroi që deri në përfundim të procesit të apelit, bordi i shkollës të jetë i detyruar të informojë familjet çdo herë që një nga këta libra, ose një libër me përmbajtje të ngjashme, do të përdoret në mësim, dhe të u japë prindërve të drejtën që të përjashtojnë fëmijët nga ato orë.
Gjyqtari Samuel Alito theksoi në mendimin e shumicës se prindërit kanë të drejtë të mbrohen nga një dëm i pariparueshëm, ndërsa gjyqtarja Sonia Sotomayor kundërshtoi vendimin, duke e quajtur atë “kaotik për shkollat publike”.
Vendimi ka shkaktuar përplasje të forta në opinionin publik amerikan, duke hapur një debat të ri mbi lirinë fetare, të drejtat prindërore dhe edukimin në sistemin publik të SHBA-së.