Departamenti i Drejtësisë në SHBA ka paditur “TikTok”-un dhe kompaninë e tij mëmë kineze “ByteDance”, sepse po shkelet privatësia dhe siguria e fëmijëve.
Në padi shkruhet se “TikTok”-u ka vazhduar të mbledhë të dhëna për miliona fëmijë nën 13 vjeç pa pëlqimin e prindërve të tyre, duke mos respektuar të dhënat e prindërve.
“TikTok me vetëdije dhe në mënyrë të përsëritur shkeli privatësinë e fëmijëve, duke kërcënuar sigurinë e miliona fëmijëve në të gjithë vendin. FTC-ja do të vazhdojë të përdorë sferën e plotë të autoriteteve të saj për të mbrojtur fëmijët në internet, veçanërisht pasi firmat vendosin mjete dixhitale gjithnjë e më të sofistikuara për të vëzhguar fëmijët dhe për të përfituar nga të dhënat e tyre”, tha në një deklaratë kryetarja e FTC, Lina Khan.
Zëdhënësi i “TikTok”-ut, Alex Haurek hodhi poshtë akuzat dhe tha se kanë të bëjnë me ngjarje dhe praktika të së kaluarës që ishin të pasakta.
“Ne jemi krenarë për përpjekjet tona për të mbrojtur fëmijët dhe do të vazhdojmë të përditësojmë dhe përmirësojmë platformën,” tha ai.
“TikTok”-u është një nga platformat më të mëdha të mediave sociale në internet, me mbi 170 milionë përdorues në SHBA, kryesisht të rinj.
Padia vjen pasi ligjvënësit votuan në prill për të detyruar shitjen e “TikTok”-ut ose ndalimin e aplikacionit për lidhjet e tij me kompaninë e saj mëmë me bazë në Pekin, “ByteDance”.