SHBA-të kanë ndërmarrë sulme ajrore në ishullin Qeshm të Iranit, në Ngushticën e Hormuzit, në kuadër të një operacioni të cilësuar si të kufizuar nga zyrtarët amerikanë. Sulmet u kryen si përgjigje ndaj veprimeve të Gardës Revolucionare Islamike, e cila dyshohet se kishte përdorur raketa tokë-ajër kundër një avioni amerikan. Një zyrtar amerikan e përshkroi ndërhyrjen si masë mbrojtëse ndaj kërcënimeve që rrezikonin asetet ushtarake të SHBA-së.
Ishulli Qeshm, i vendosur rreth 14 milje nga qyteti i Bandar Abbasit, ka rëndësi strategjike për shkak të pozicionit të tij në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme detare për tregtinë globale të energjisë. Përpara luftës, përmes kësaj rruge ujore kalonin rreth 20 milionë fuçi naftë në ditë. Irani e konsideron ishullin një pikë kyçe për kontrollin e trafikut detar në këtë zonë, ndërsa SHBA-të e kanë goditur edhe më parë gjatë konfliktit.
Sulmi i fundit vjen në një moment kur tensionet ushtarake mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë, por paralelisht mbeten të hapura edhe mundësitë për negociata. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të hënën se një marrëveshje me Iranin mund të arrihet, duke lënë të kuptohet se kanali diplomatik nuk është mbyllur pavarësisht përshkallëzimit të veprimeve ushtarake.