SHBA jashtë OBSH-së në vitin 2021

SHBA jashtë OBSH-së në vitin 2021

Pas më shumë se 70 viteve anëtarësim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar daljen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë më 6 korrik të vitit 2021.

Vendimi që i është njoftuar Kongresit amerikan dhe OKB-së ishte paralajmëruar nga presidenti Donald Trump muaj më parë kur vendi u godit nga pandemia e koronavirusit.

Prej kohësh kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka akuzuar agjencinë e shëndetit global për mungesë transparence dhe për mesazhe kontradiktore që ndihmuan përhapjen e koronavirusit nëpër botë.

Kritika kryesore vërtitet rreth argumentit se OBSH-ja i besoi verbërisht informacioneve të Kinës ku edhe shpërtheu fillimisht pandemia, duke u kthyer pa dashje në një shtojcë të Pekinit zyrtar.

Me largimin e SHBA-së largohen edhe qindra millionë dollarë fonde që Uashingtoni i siguron çdo vit agjencisë, por rivali demokrat i Trump-it në zgjedhjet e nëntorit, Xho Bajdën, tha të martën se nëse ai zgjidhet president, do e zhbëjë vendimin e kryeshtetarit aktual.

Deri tani sëmundja e kovidit ka infektuar afro 12 milionë persona dhe ka shkaktuar mbi 540 mijë viktima në gjithë botën.

Në shtetet amerikane situata sa vjen e përkeqësohet duke arritur të martën rekordin global të 3 milionë rasteve prej fundjanarit, ndërsa jetët e humbura kapërcyen nivelin 131 mijë.

Teksa rajone të ndryshme rikthejnë masat kufizuese për banorët, presidenti Trump deklaroi se ai dëshiron ta rivë në punë të gjithë ekonominë dhe të rihapë edhe shkollat në vjeshtë.

Sipas tij, rritja e rasteve së fundmi i atribuohet shtimit me miliona testime në terren.

“Kur sheh çfarë ka ndodhur në Suedi dhe konceptin e tyre të tufës, pastaj në Brazil dhe në disa vende të tjera, them se ia kemi dalë si mos më mirë. Por tani është koha qëndrojmë hapur dhe çdo zjarr që do hasim ta shuajmë ashtu si të na vijë.”

Në botë vijon gara për gjetjen e vaksinës kundër kovidit të ri, ndërsa nga OBSH-ja ekspertët konfirmuan të martën se koronavirusi mund të ketë aftësinë të infektojë personat jo vetëm përmes spërklave direkte por edhe duke qëndruar pezull ajër për disa kohë, ndaj rekomandohet mbajtja e distancave fizike dhe përdorimi i maskave të fytyrës në ambientet e paajruara.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit