SHBA parlajmëron Kinën: Do të mbani përgjegjësi Rusia arrin fitore në Ukrainë

SHBA parlajmëron Kinën: Do të mbani përgjegjësi…

Administrata amerikane paralajmëroi të martën se do ta konsideronte Kinën përgjegjëse nëse Rusia bën fitime të mëtejshme territoriale në luftën në Ukrainë, pasi Pekini ritheksoi zotimin e tij për të rritur bashkëpunimin me Moskën gjatë një vizite të diplomatit të lartë rus.

Kurt Campbell, zëvendëssekretari amerikan i shtetit, tha se ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Evropë ka qenë misioni më i rëndësishëm historikisht për Uashingtonin.

Ai vazhdoi duke thënë se përfitimet territoriale të Rusisë mund të ndryshojnë ekuilibrin e fuqisë në Evropë në një mënyrë që është e papranueshme pas më shumë se dy vjetësh lufte në Ukrainë dhe ndërsa Uashingtoni vazhdon të shohë të bllokuar një paketë ndihme të premtuar për Kievin.

Ne i kemi thënë drejtpërdrejt Kinës se nëse vazhdon, do të ketë ndikim në marrëdhëniet SHBA-Kinë. Ne nuk do të rrimë duarkryq”, tha zoti Campbell.

“Kjo është kundër interesave tona”, shtoi ai gjatë një takimi të komitetit kombëtar për marrëdhëniet SHBA-Kinë.

Diplomati i lartë amerikan po i përgjigjej një pyetjeje në lidhje me vizitën e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në Kinë të martën, gjatë së cilës homologu i tij kinez Wang Yi dhe presidenti kinez Xi Jinping siguruan se Pekini ishte i gatshëm të forconte më tej lidhjet dypalëshe.

Campbell tha gjithashtu se Uashingtoni e kishte paralajmëruar Pekinin përpara se presidenti rus Vladimir Putin të urdhëronte ushtrinë e tij të pushtonte Ukrainën në shkurt 2022.

Sipas tij, Pekini u alarmua nga disfatat e para ruse në terren dhe u përpoq të kontribuonte në rimëkëmbjen e aftësive ushtarake të Moskës. Megjithatë, më shumë se dy vjet më vonë, Rusia është riorganizuar (përfshirë ushtarakisht) pothuajse plotësisht dhe përbën një kërcënim të madh për Ukrainën dhe periferinë e Evropës, gjykoi ai.

SHBA ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur se do ta sanksionojë Kinën nëse konsiderohet se po ndihmon përpjekjet luftarake të Rusisë.

Uashingtoni ka argumentuar se Rusia po i kthehet gjithnjë e më shumë municioneve dhe sistemeve të armëve nga Koreja e Veriut dhe Irani – vende nën sanksione të SHBA-së dhe ndërkombëtare – në atë që Kremlini e ka quajtur një “operacion special ushtarak”.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit