SHBA reagon ashpër ndaj Ramës: Është për të ardhur keq! Do ta shohim nëse...

SHBA reagon ashpër ndaj Ramës: Është për…

Ambasada e SHBA-ve ka reaguar ashpër pas miratimit në Parlament ditën e sotme të ndryshimeve kushtetuese.

Amerikanët thonë se është për të ardhur keq që nuk u mbajt e njëjta frymë që solli marrëveshjen e 5 qershorit.

Ajo shprehet se e kupton zhgënjimin e opozitës së bashkuar, ndërkohë u bën thirrje drejtuesve kryesorë politikë të mbajnë fjalën dhe të arrijnë marrëveshje për listat e hapura dhe koalicionet.

DEKLARATA E AMBASADËS SË SHBA

Më 23 korrik, Parlamenti miratoi legjislacionin për të kodifikuar marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore, e cila u arrit në një mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse përmes Këshillit Politik. Sot, Parlamenti miratoi ndryshime në Kushtetutë që do të mundësojnë masa shtesë për reformën zgjedhore. Ndërsa ky veprim ishte në kompetencën e Parlamentit, është për të ardhur keq që nuk u mor në të njëjtin frymë me të cilën u arrit marrëveshja e 5 qershorit. Ne i kujtojmë shumicës deklaratat e saj se, megjithë miratimin e sotëm në Parlament, ata synojnë të angazhohen me të gjithë partitë në Këshillin Politik, në mirëbesim dhe me qëllimin për të arritur në marrëveshje për zbatimin e legjislacionit mbi listat e hapura dhe koalicionet.

Ne e kuptojmë zhgënjimin e Opozitës së Bashkuar, ndërsa mirëpresim vendosmërinë e tyre për të mbetur të angazhuar në institucione dhe procese demokratike, përfshirë Këshillin Politik, në mënyrë që të dëgjohen zërat e të gjithë shqiptarëve. Përsërisim, se ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre. Ashtu siç vepruan në arritjen e marrëveshjes së 5 qershorit, udhëheqësit shqiptarë duhet të tregojnë gatishmërinë dhe aftësinë e tyre për të negociuar marrëveshje që vënë në radhë të parë interesat më të mira të popullit shqiptar.

/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit