SHBA/ Shtatë të vdekur nga të shtënat me armë zjarri në një shkollë private

SHBA/ Shtatë të vdekur nga të shtënat…

Tre studentë dhe tre të rritur u vranë në një shkollë private në Tenesi, ndërsa më pas një vajzë 28-vjeçare u qëllua dhe u vra në një shkëmbim zjarri me policinë. Zëdhënësi i policisë Don Aaron tha se 28-vjeçarja ishte e armatosur me dy pushkë dhe një pistoletë dhe ishte e paqartë nëse ajo kishte ndonjë lidhje me shkollën. Kjo grua u rrethua nga pesë policë dhe ra e vdekur nga të shtënat e tyre. 

Ishte ora 10:13 (koha lokale) kur policia ngriti alarmin në Covenant School pas raportimeve për të shtëna. Forca të forta policie rrethuan zonën dhe u kërkuan prindërve që kanë shkuar në vendngjarje, të shqetësuar për fatin e fëmijëve të tyre, të qëndrojnë në distancë të sigurt.

Besëlidhja, shkolla ku ndodhi incidenti, është një shkollë private e krishterë me rreth 200 nxënës nga klasa parashkollore deri në klasën e gjashtë. Sipas “Washington Post”, e cila citon policinë lokale, pas incidentit, prindërit kanë nxituar për të marrë fëmijët e tyre në kishën fqinje Woodmont Baptiste.

Të shtënat me armë në shkolla janë një plagë në SHBA dhe shumica dërrmuese e autorëve janë meshkuj. Nga viti 1966 deri në ditët e sotme, vetëm katër nga 191 të shtënat masive, u shkaktuan nga një femër, sipas OJQ Violence Project.

Në maj, një 18-vjeçar vrau 19 fëmijë dhe dy mësues në një shkollë në Uvalde, Teksas. Kryetari i bashkisë së Nashville, John Cooper shprehu solidaritetin e tij me familjet e viktimave, duke vënë në dukje se emri i qytetit të tij është tani në listën e gjatë të komuniteteve ku ka ndodhur një të shtëna me armë zjarri në shkollë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit