Shefi i Sektorit të Arbitrave në FSHF: Presim ‘bilbilin’ e qeverisë për nisjen e kampionatit

Shefi i Sektorit të Arbitrave në FSHF:…

Ashtu si lojtarët që duan kohën e tyre të përgatitjeve pas pezullimit që prej muajit mars të kampionatit, edhe gjyqtarëve u duhen disa ditë stërvitje për të qenë gati sapo të rinisë aktiviteti në vendin tonë.

Në edicionin informativ të pasdites në Syri TV, gazetarja Enkeleida Zeko i mori një intervistë shefit të Sektorit të Arbitrave, Sokol Jarecit.

Gjendja e arbitrave – Përsa i përket gjendjes shëndetësore, për fat të mirë nuk kemi patur asnjë të prekur nga virusi. Që në momentin që u vendos pezullimi, Sektori i Arbitrave krijoi plan masash, edhe fizike, edhe teorike. Arbitrat janë stërvitur në mënyrë individuale gjatë kësaj kohe, ku ne u kemi dhënë programet dhe udhëzimet tona. Vazhdojmë të ushtrojmë teste të ndryshme me gjyqtarët tanë.

Udhëzimet nga UEFA dhe FIFA –  Kontaktet me UEFA-n dhe FIFA-n janë të vazhdueshme, pasi ne po zbatojmë ato programe që bëhen me arbitrat e UEFA-s dhe FIFA-sËshtë një program i detajuar, që arbitrat tanë po e zbatojnë sipas udhëzimeve që kemi marrë.

Koha e rikthimit në formën optimale – Ashtu si lojtarët, edhe ne kemi dy preparatorë që merren posaçërisht për programet.

Në futbollin e sotëm edhe arbitri duhet të ketë formë fizike, ashtu si futbollistët. Pjesa më e rëndësishme është përgatitja e arbitrave në kolegjiumin e Tiranës. I vetmi terren këtu në Tiranë është Liqeni Artificial. Prej kohësh parku i Liqenit është i mbyllur dhe na krijon problem shumë të madh. Presim “bilbilin” e qeverisë për të nisur kampionatin dhe them që arbitrat do të jenë gati për të rinisur aktivitetin.

Koha për fazën përgatitore – Ne varemi tashmë me kohën që do jetë në dispozicion. Besoj se do jetë një kohë 2-javore, si për lojtarët për fazën përgatitore, ashtu edhe për arbitrat. Nuk është kohë e mjaftueshme 2 javë për të qenë në maksimumin e mundësive, por gjithsesi nëse fillon, arbitrat do të jenë gati.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit