
Në një intervistë televizive, kryetari i Partisë Djathtas për zhvillim, Dashamir Shehi, ka hedhur akuza të forta ndaj Sali Berishës, duke e cilësuar si aleat të heshtur të Edi Ramës, pavarësisht retorikës së tij kundër qeverisë.
Shehi tha se: “Berisha etiketon si ‘komunistë’ të gjithë ata që mbështesin Ramën, por ndërkohë, me veprimet e tij politike, duket se vetë është në një lloj bashkëpunimi me kryeministrin.”
Ai kujtoi se në vitin 2008, vetë Berisha së bashku me Ramën miratuan ndryshimet kushtetuese që i dhanë pushtet të pakufizuar kryeministrit. “Ndryshuan kushtetutën për t’i dhënë të gjitha kompetencat kryeministrit,” u shpreh Shehi.
Më tej, ai shtoi se ky tandem politik ka vazhduar të dominojë skenën shqiptare në mënyrë të koordinuar. “Bënë një ligj tjetër edhe më të keq, me të cilin ndanë Shqipërinë mes tyre njëri në njërën anë, tjetri në anën tjetër,” tha ai, duke iu referuar zhvillimeve të fundit politike. “Dhe vetëm gjashtë muaj më parë, nxorën një tjetër ligj për të eliminuar kundërshtarët, sepse nuk duan njerëz të tjerë nëpër këmbë.”
“Nëse Berisha ka një koalicion, ai është vetëm me Ramën – me askënd tjetër,” këmbënguli Shehi.