Shembet një formacion shkëmbor në Kapadokia, 2 të vdekur dhe 5 të plagosur

Shembet një formacion shkëmbor në Kapadokia, 2…

Një formacion shkëmbor është shembur pranë Muzeut të Hapur të Göremes, në rajonin turistik të Kapadokias në Turqi, duke shkaktuar dy viktima dhe pesë të plagosur.

Sipas mediave turke, ngjarja ka ndodhur në zonën e Göremes, në provincën e Nevşehirit, ku si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, pjesë të mëdha shkëmbore janë shkëputur nga një formacion natyror dhe kanë rënë në zonën ku ndodheshin qytetarë dhe vizitorë.

Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje janë dërguar ekipe policie, xhandarmërie, shërbimi të emergjencave AFAD dhe autoambulanca. Gjatë inspektimit fillestar, ekipet kanë konfirmuar se dy persona kanë humbur jetën pasi janë zënë poshtë nga gurët, ndërsa pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Ndërkohë, ekipet e kërkim-shpëtimit po vijojnë punën në terren për të përcaktuar nëse ka persona të tjerë të bllokuar nën rrënoja.

Göreme është një nga zonat më të njohura turistike të Kapadokias, e famshme për formacionet shkëmbore karakteristike dhe kishat historike me afreske bizantine, që datojnë nga shekujt IV deri në XIII. Zona është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që prej vitit 1985.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit