Një natë që duhej të ishte festë u shndërrua në tragjedi në Ciudad Rodrigo të Spanjës, ku një djalë 13-vjeçar humbi jetën dhe tre persona të tjerë mbetën të plagosur rëndë pas shembjes së një shatërvani gjatë festimeve për triumfin e kombëtares spanjolle në Kupën e Botës.
Pas fitores së Spanjës ndaj Argjentinës, të vulosur nga goli vendimtar i Ferran Torres, mijëra tifozë pushtuan sheshet dhe rrugët për të festuar suksesin e shumëpritur. Në Ciudad Rodrigo, qindra qytetarë u mblodhën pranë shatërvanit “Arbol Gordo”, i cili u kthye në epiqendrën e festimeve.
Atmosfera festive mori një kthesë dramatike kur disa tifozë u ngjitën mbi monument, duke bërë që pjesa e sipërme e shatërvanit të shembej papritur. Blloqet e gurit ranë mbi personat që ndodheshin aty, duke shkaktuar pasoja të rënda.
Mes të lënduarve ishte edhe një 13-vjeçar, i cili u transportua me urgjencë në qendrën shëndetësore të Ciudad Rodrigo, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve. Tre persona të tjerë pësuan lëndime të rënda, ndërsa njëri prej tyre raportohet se ka thyerje në këmbë.
Sipas autoriteteve, Qendra e Emergjencës 112 e Castilla y León mori telefonatat e para për ngjarjen në orën 00:33 me orën lokale. Menjëherë në vendngjarje u angazhuan policia lokale, Garda Civile e Salamancës, zjarrfikësit provincialë dhe ekipet e urgjencës mjekësore të Sacyl.
Zona ku ndodhi aksidenti është rrethuar dhe vijon të ruhet nga forcat e rendit, ndërsa hetuesit po punojnë për të sqaruar rrethanat që çuan në shembjen e shatërvanit. Ndërkohë, Grupi i Ndërhyrjes Psikologjike në Fatkeqësi dhe Emergjenca është aktivizuar për të ofruar mbështetje për familjen e viktimës dhe të prekurit nga kjo ngjarje e rëndë.