
IKMT shemb një strukturë në Durrës që kishte leje të rregullt, duke rrezikuar sigurinë juridike të bizneseve bregdetare
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka ndërhyrë sërish në zonën bregdetare të Durrësit, duke shembur disa struktura që pretendohet se ishin ndërtuar pa leje. Por, mes ndërtimeve të prishura ndodhej edhe subjekti privat “Shtëpia e Luleve – Kamelja” sh.p.k., i cili, sipas dokumenteve zyrtare, kishte marrë të gjitha lejet e nevojshme për funksionim të ligjshëm.

Ky subjekt, që vepronte si beach-bar, hotel dhe me dhoma për pushuesit, ishte pajisur me leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit më 29 maj 2023. Leja mbante firmën e sekretarës së këtij institucioni, znj. Ledia Tota, dhe ishte miratuar për një sipërfaqe 600 m² në parcelën DR-791, zona e Rrashbullit, për një periudhë pesëvjeçare, me qira nga Bashkia Durrës dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit.
Administratores së biznesit, arkitektes Livia Marku, iu komunikua më herët e drejta për të zhvilluar aktivitetin, por më vonë ajo u përball me vendimin për shembje pa asnjë njoftim apo dokument shfuqizues të lejes. Ajo deklaron se procesi i aplikimit ishte i plotë dhe transparent, i zhvilluar përmes platformës zyrtare dhe me dokumentacion të protokolluar nga viti 2021 deri në miratimin përfundimtar.
Marku thekson se ka realizuar të gjitha investimet sipas kushteve të përcaktuara në leje dhe ka paguar taksat për përdorimin e hapësirës publike, duke i përmbushur të gjitha detyrimet ndaj shtetit. Megjithatë, pavarësisht kësaj, IKMT ndërhyri për shembjen e objektit, pa paraqitur asnjë provë për shkelje ligjore.
Në dokumentin e KKT-së theksohet se leja mund të revokohet vetëm në rast të një shkeljeje konkrete të kushteve ligjore. Por në këtë rast, nuk është bërë publike asnjë provë që të justifikonte një vendim kaq të rëndë siç është shembja e një strukture me leje të rregullt.
Ky veprim i IKMT-së ka ndezur shqetësime serioze për të ardhmen e investimeve në zonat bregdetare dhe sigurinë juridike të bizneseve sezonale. Fati i ndërmarrësve duket se po varet nga urdhra arbitrarë dhe jo nga një sistem ligjor transparent dhe i drejtë.
Rasti kërkon transparencë institucionale dhe mbikëqyrje të plotë ligjore, për të garantuar jo vetëm të drejtat e sipërmarrësve, por edhe integritetin e shtetit ndaj qytetarëve që kërkojnë të investojnë në përputhje me ligjin.