Një ngjarje tragjike është regjistruar në fshatin Progër, ku është gjetur pa shenja jete 75-vjeçarja Flora Hoxha, e cila ishte larguar nga banesa që në orët e para të mëngjesit të një dite më parë. E moshuara, që vuante nga probleme të shëndetit mendor, u largua rreth orës 05:00 nga shtëpia ku jetonte me bashkëshortin, dhe që prej atij momenti nuk ishte parë më.
Burime nga policia lokale bëjnë me dije se trupi i viktimës është gjetur këtë mëngjes rreth orës 08:30, pranë daljes së fshatit, në anë të një përroi që përshkon zonën dhe që prej tre ditësh kishte qenë i mbuluar nga ujërat për shkak të reshjeve të dendura. Dyshohet se 75-vjeçarja është marrë nga ujërat e kanalit kryesor të fshatit, të cilat, si pasojë e përmbytjeve, kishin dalë jashtë shtratit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon veprimet procedurale për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes. Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zonave të prekura të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe me prani të lartë ujërash dhe rrezikshmëri të shtuar.