Një përplasje e dhunshme ka tronditur botën e arteve marciale të përziera (MMA), pasi dy emra të njohur të këtij sporti, Merab Dvalishvili dhe Usman Nurmagomedov, janë përfshirë në një konflikt fizik në hollin e një hoteli në Abu Dhabi.
Ngjarja ka ndodhur në prag të eventit RAF, ndërsa Dvalishvili ishte duke dhënë një intervistë kur pranë tij është afruar Nurmagomedov, i shoqëruar nga disa persona. Në pamjet që kanë qarkulluar në rrjetet sociale, Usman shihet duke e goditur me shuplakë sportistin gjeorgjian, ndërsa pak çaste më vonë situata degradoi në një përleshje mes dy grupeve.
Pas incidentit, Dvalishvili publikoi pamje ku shfaqej me fytyrën e gjakosur. Ai pretendoi se ishte sulmuar papritur nga Nurmagomedov dhe personat që e shoqëronin, duke deklaruar se edhe një mik i tij ishte goditur me grushte dhe shqelma.
Përplasja ka rikthyer në vëmendje rivalitetin mes dy kampeve, i cili lidhet edhe me konfliktet e mëparshme sportive. Në janar të vitit 2025, Dvalishvili mposhti Umar Nurmagomedov, vëllain e Usmanit, në UFC 311, duke mbrojtur titullin e kampionit në peshën bantam.
Marrëdhëniet mes sportistëve dhe personave të afërt me familjen Nurmagomedov kanë qenë të tensionuara edhe më parë, ndërsa incidenti i fundit duket se e ka çuar rivalitetin përtej kafazit të oktagonit.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, pas përleshjes personat e përfshirë janë shoqëruar dhe marrë në pyetje nga policia në Abu Dhabi.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në komunitetin e MMA-së, ku pamjet e përplasjes janë shpërndarë me shpejtësi, duke e kthyer konfliktin në një nga temat më të diskutuara të sportit luftarak.