Një konflikt me armë zjarri mes disa familjarëve në Kurbin ka përfunduar me arrestimin e tre personave, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Ngjarja ndodhi në rrugën e Patokut, ku disa kushërinj dyshohet se qëlluan me armë në drejtim të automjetit me të cilin po lëvizte një 38-vjeçar, pas një konflikti verbal për motive të dobëta. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk pati persona të plagosur.
Në pranga janë vënë Gjon Laska, 67 vjeç, djali i tij Gjon (Alfred) Laska, 40 vjeç, si dhe kushëriri i tyre Elvis Laska, 28 vjeç, të gjithë banues në Laç. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim djalin tjetër të Gjon Laskës, Vlash Gjoni, 35 vjeç, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë. Gjatë largimit nga vendi i ngjarjes, 38-vjeçari ka përplasur edhe një automjet tjetër, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Policia ka sekuestruar automjetin e 38-vjeçarit dhe vijon hetimet për gjetjen e armës së zjarrit dhe kapjen e personit të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës, ndërsa hetuesit po punojnë për të përcaktuar përgjegjësinë penale të secilit prej personave të përfshirë në konflikt.