Sherr me sende të forta në Shëngjin, përfundon në spital një person

Sherr me sende të forta në Shëngjin,…

Një konflikt i dhunshëm është regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e shëtitores së plazhit në Shëngjin, ku një person ka mbetur i plagosur pas goditjeve me sende të forta.

Sipas informacioneve paraprake, sherri ka ndodhur rreth orës 21:30, në afërsi të zonës së lodrave, një nga hapësirat më të frekuentuara nga pushuesit gjatë sezonit veror. Si pasojë e përplasjes, shtetasi M. P. ka pësuar lëndime dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lezhës. Fatmirësisht, sipas Policisë, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas marrjes së njoftimit, efektivët kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë shoqëruar autorin e dyshuar, shtetasin A. Ll., ndërsa gjatë veprimeve të para hetimore është sekuestruar edhe një armë sportive zhurmuese, e cila dyshohet se mbahej prej tij.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit