Një konflikt ka përfunduar me përdorimin e thikës në orët e vona të mbrëmjes së kaluar në zonën e plazhit në Durrës. Sipas informacioneve paraprake, tre persona janë plagosur pas një përplasjeje me dy persona të tjerë.
Të plagosurit janë shtetasit F.B., 19 vjeç, L.C., 20 vjeç dhe U.C., 18 vjeç. Dy prej tyre kanë marrë dëmtime më të shumta dhe janë dërguar për mjekim në Spitalin e Durrësit, ndërsa personi i tretë ka pësuar lëndime të lehta dhe nuk ka pasur nevojë për ndihmë mjekësore.
Policia bën me dije se konflikti ka nisur pas një sherri të çastit mes tre të rinjve dhe shtetasit L.Ç., 19 vjeç, si dhe një 15-vjeçari. Blutë vijojnë kontrollet për kapjen e autorëve të dyshuar dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.