
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Pratos në Itali, ku Vladimir Lleshi, 37 vjeç, është vrarë me thikë pas një përplasjeje mes disa të rinjve shqiptarë.
Ngjarja ndodhi pasditen e së enjtes, më 8 maj, në një zonë të gjelbër ndërmjet rrugëve Corridoni dhe Baracca – një vend i qetë që zakonisht frekuentohet nga familjet, por që në atë moment ishte i braktisur.
Sipas hetimeve të para nga policia dhe Prokuroria, konflikti nisi si një debat verbal dhe degjeneroi në dhunë fizike. Lleshi u godit me disa goditje thike, njëra prej të cilave i preku zemrën dhe rezultoi fatale.
Përpjekjet për ta shpëtuar ishin të kota.
Një tjetër i ri, 21 vjeç, mbeti i plagosur lehtë në fytyrë.
Dy të rinj shqiptarë, 17 dhe 19 vjeç, janë ndaluar nga policia si të dyshuar për vrasjen. Ata u morën në pyetje në Komisariat, në prani të avokatëve dhe prokurores. Pas marrjes në pyetje, për të dy u urdhërua ndalimi policor.
Ende mbeten shumë pikëpyetje pa përgjigje: arma e krimit nuk është gjetur dhe motivi mbetet i paqartë. Një nga pistat që po hetohet është ajo e një përplasjeje mes grupeve rivale.
Banorët e zonës shprehen të tronditur, pasi kjo është një lagje e qetë ku nuk janë regjistruar më parë episode të tilla dhune.
Hetimet janë në vazhdim dhe autoritetet po verifikojnë deklaratat e të ndaluarve, si dhe po identifikojnë të gjithë personat e tjerë të përfshirë në ngjarje.