Bledjon Nallbati ka reguar pas përfshirjes së tij dhe vëllait të tij në një konflikt me grushte me shoferin e një kamioni një ditë më parë në Bilisht.
Ai tha se ka tentuar disa herë që të shmangë përplasjen, por emocionet dhe sjellja e drejtuesit të kamionit bënë të vetën.
“Pranoj me përgjegjësi të plotë që duhet të qëndroja me maturi ndaj këtyre lloj provokimeve, megjithatë, jam njeri para se të jem politikan”, tha ai.
Sipas tij, nuk është e vërtetë që ai dhe i vëllai, Alti Nallbati, i cili është arrestuar, i kanë prerë rrugën kamionit. Ata kanë ulur shpejtësinë për shkak të një gropë në rrugë, ndërsa kamioni ishte pas me shpejtësi dhe mund të pësonim aksident.
“Nuk është e vërtetë që unë apo vëllai im i kemi prerë rrugën kamionit. Po udhëtonim nga Kapshtica drejt qytetit, dhe në rrethrrotullim është hapur një gropë, të cilën këta pushtetarë që keqinformojnë ngjarjen nuk e riparojnë. Mjeti im uli shpejtësinë, ndërsa kamioni ishte pas me shpejtësi dhe mund të pësonim aksident. Në këto kushte ndaluam, dhe doli vëllai im që ishte shofer, e pas tij unë”, tregon Nallbati.