10 persona janë shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për konfliktin mes pronarit të kompanisë “Delta”, Luan Muca, dhe biznesmenit Vasil Bedinaj, i lidhur me rrjetin e hoteleve “Regina”. Mes personave të kërkuar është edhe Bujar Muca, vëllai i Luan Mucës, i cili ishte zgjedhur deputet nën siglën e PDIU-së, por hoqi dorë nga mandati pa u betuar në Kuvend. Në kërkim vijojnë të jenë edhe Edison Zalla, Serxhio Cani, Rei Degjoni, Renato Kodra, Klej Doci, Arjan Doda, Marjos Ramosacoj, Altin Grori, efektiv i Policisë Ushtarake, dhe Fatjon Maknori, gjithashtu efektiv i Policisë Ushtarake.
Ndërkohë, Luan Muca dhe dy vëllezërit Mandrit dhe Klaudio Lleshaj, të cilët dyshohet se ishin shoqërues të biznesmenit, janë arrestuar nën dyshimet për gjobëvënie. Në pranga ka përfunduar edhe Blerim Heta. Po ashtu, është arrestuar Angjelo Breshani, shoferi i Vasil Bedinajt, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë në drejtim të grupit të Mucës teksa këta të fundit po largoheshin nga resorti “Regina”. Gjatë ndjekjes nga policia, automjeti me të cilin udhëtonte Muca u aksidentua, duke mbetur i plagosur ai dhe një prej shoqëruesve të tij.
Sipas pretendimeve të Vasil Bedinajt, Luan Muca i kishte kërkuar një shumë prej 5 milionë eurosh, ndërsa Muca e mohon këtë version dhe pretendon se konflikti mes tyre lidhet me një çështje pronësie. Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e përplasjes, rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe përgjegjësitë penale që mund të rezultojnë nga hetimi.