60-vjeçari Izet Ymeri, i njohur për shumë përdorues të rrjeteve sociale me nofkën “Izet Pantera”, është arrestuar nga Policia e Fierit pasi dyshohet se plagosi me thikë kushëririn e tij pas një konflikti në Lushnjë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në lagjen “Loni Dhamo”, ku, sipas policisë, pas një sherri për motive të dobëta, Izet Ymeri goditi me thikë kushëririn e tij, 70-vjeçarin Faslli Ymeri.
I plagosuri u transportua fillimisht në spitalin e Lushnjës dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë arrestuan 60-vjeçarin, i cili pritet të përballet me akuzën për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.
Izet Ymeri është një emër i njohur në TikTok, ku njihet me nofkën “Izet Pantera”. Ai është bërë i njohur për videot dhe transmetimet “live” që realizonte së bashku me reperin Kleviol Ahmeti, i njohur si Clevio, me të cilin shfaqej shpesh duke realizuar sfida dhe biseda që tërhiqnin vëmendjen e ndjekësve.