Shifra alarmante, ajri në Tiranë 18 herë më i ndotur se mesatarja e OBSh

Shifra alarmante, ajri në Tiranë 18 herë…

Vazhdimisht ambientalistët dhe mjekët kanë ngritur alarmin për ndotjen e madhe të ajrit që thithin qytetarët, sidomos në Tiranë ku dhe numri i popullsisë është më i madh.

Së fundmi, një studim i kryer nga Bensik Bare anëtar i Akademisë së Shkencave, nxjerr përfundime alarmante për nivelin e ndotjes së ajrit që është shumë më i lartë se niveli normal i ndotjes së ajrit 5 mikrogramë për metër kub, të vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Niveli i ajrit në Tiranë është mes një diapazoni nga 7 herë më shumë se normali në pjesën më të mirë, deri në 18 herë më i ndotur se mesatarja në rastin më të keq.

Bare ka bërë matje për disa ditë në zona të ndryshme të kryeqytetit, nga ora 08:00-10:00 por edhe gjatë orëve të para të mëngjesit 03:00-05:00, duke marrë si bazë matëse grimcat PM2.5. Këto grimca janë një përbërje mikroskopike që ka diametër 2.5 mikron dhe çlirohen në ajër nga djegia e hidrokarbureve por dhe pluhurat e tjerë që vijnë kryesisht nga ndërtimet.

Këto grimca kanë aftësinë që të depërtojnë brenda organeve jetësore të trupit të njeriut, duke prekur mushkrinë dhe më pas të depërtojnë në gjak duke shkaktuar sëmundje të rënda deri te kanceri. Sipas OBSh, përqindja e këtyre grimcave në ajër duhet të mos e kalojë 5 mikron për metër kub.

E pikërisht këto grimca merren si njësi matëse për cilësinë e ajrit nga OBSH. Nga matjet e studimit, rezulton se shifrat janë shumë më të mëdha se mesatarja e OBSH-së, ku në disa zona të lakmuara në kryeqytet si pranë bar kafe E88, ish-ekspozitës dhe brenda unazës së vogël të qytetit niveli i grimcave është 92.6 mikrogramë për metër kub. Pra 18.52 herë më e lartë se norma e OBSH!

Nga ana tjetër ajri më i pastër në Tiranë është stadiumit Air Albania, ku hapësira është më e gjerë. Në këtë zonë niveli i grimcave në ajër është 33 mikrogramë për metër kub, dhe këtu gati 7 herë më shumë se normalja e OBSH.

Edhe matjet e bëra gjatë orëve të para të mëngjesit, tregojnë se niveli i grimcave në ajër është nga 31.7-78 mikrogram për metër kub. Asnjë nga shifrat e mësipërme nuk përafrohet me nivelin mesatar të OBSH-së, por është shumëfish më i lartë.

Këto shifra nxjerrin në përfundimin se banorët e këtyre zonave dhe mbarë kryeqytetit, janë shumë më të ekspozuar ndaj helmimeve që shkaktohen nga grimcat e dëmshme që qarkullojnë në ajër. Ky studim duhet të ngrejë ‘kujën’ për marrjen e masave të menjëhershme, për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, me qëllim ruajtjen e jetës së banorëve.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit